A mund të dërgohet Rusia në gjykatë për luftën në Ukrainë?

March 1, 2022
min lexim

Sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës shihet nga shumë qeveri dhe studiues ligjorë si një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar.

Por, presidenti rus, Vladimir Putin, ka devijuar gjuhën e ligjit për të mbrojtur veprimet e tij, duke pohuar se pushtimi i Ukrainës është i justifikuar për shkak të një pretendimi të pambështetur se Kievi po kryen gjenocid në rajonin e Donbasit të Ukrainës kundër rusëve etnikë.

Ukraina është përgjigjur duke ngritur një padi kundër Rusisë më 27 shkurt në gjykatën më të lartë të OKB-së, duke hedhur poshtë akuzat e Moskës për gjenocid si absurde dhe duke kërkuar nga gjyqtarët që të urdhërojnë ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake ruse.

Por, çfarë mund të arrijë Ukraina me një veprim të tillë? Çfarë rrugësh të tjera mund të marrë Kievi në sistemin ndërkombëtar për ta mbajtur Moskën përgjegjëse? Dhe a mundet bota e ndërlikuar e së drejtës ndërkombëtare të vendosë drejtësi?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Anthony Dworkin, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Cila është ligjshmëria e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe si kategorizohet sipas ligjit ndërkombëtar?

Anthony Dworkin: Gjëja e parë që duhet thënë është se Karta e OKB-së në një nga nenet e saj kryesore ndalon kërcënimin ose përdorimin e forcës nga një shtet kundër një shteti tjetër dhe ky pushtim nga Rusia në Ukrainë duket të jetë një shkelje e qartë e kësaj ndalese.

Jo vetëm në këtë nen formal të Kartës së OKB-së, por përgjithësisht konsiderohet si themeli i së drejtës ndërkombëtare moderne, gurthemeli i rendit juridik ndërkombëtar që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, që një vend të pushtojë një tjetër pa asnjë justifikim, gjë që po shohim në këtë rast, është një shkelje thelbësore e një parimi qendror të së drejtës ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë lloj rrugësh ligjore ka në fakt Ukraina? Ne pamë që ukrainasit njoftuan se do të përpiqen ta çojnë Rusinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), kështu që si mund të mbahet përgjegjës një vend nëse ka shkelur ligjin ndërkombëtar?

Anthony Dworkin: Para se t’i përgjigjem kësaj, mbase ia vlen të sqaroj me tej përgjigjen time të fundit se sipas Kartës së OKB-së, shtetet kanë të drejtë të përdorin forcën nëse është vetëmbrojtje dhe vlen të përmendet se presidenti rus [Vladimir] Putin në fjalimin që shpalli sulmin, për atë që ai e quajti një operacion të posaçëm ushtarak, u thirr në Kartën e OKB-së dhe pretendoi se ky ishte një akt legjitim vetëmbrojtjeje nga Rusia. Ai theksoi se Rusia po mbrohej kundër, siç tha ai, kërcënimit të një sulmi nga Ukraina kundër Rusisë dhe një sulmi të vazhdueshëm nga Ukraina ndaj enklavave separatiste në Donbas.

Pra, ekziston një lloj argumenti i supozuar ligjor, por ato argumente ligjore nuk kanë vërtet vlefshmëri sepse nuk ekziston asnjë sulm nga Ukraina kundër Rusisë. Sulmi duhet të jetë ose i pashmangshëm, ose tashmë duke ndodhur.

Ka një sërë mënyrash që rendi juridik ndërkombëtar përpiqet të mbështesë Kartën e OKB-së. Njëra prej tyre është në thelb përmes operacioneve të Këshillit të Sigurimit dhe Këshilli i Sigurimit është i ngarkuar sipas Kartës së OKB-së për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Megjithatë, siç e dimë, Rusia është një anëtare e përhershme dhe ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.

Rusia e pati mundësinë të përdorë veton ndaj rezolutës që u prezantua disa ditë më parë. Prandaj, ajo rrugë në thelb është e bllokuar.

Për sa i përket organeve juridike, ekziston GJND-ja, e cila në sistemin juridik ndërkombëtar është organi që vendos për mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve. Juridiksioni në GJND është paksa i kufizuar, kështu që mund të merret me mosmarrëveshjet midis shteteve vetëm në rastet kur të dy shtetet kanë pranuar juridiksionin e gjykatës dhe një numër shtetesh kanë thënë se do ta pranojnë juridiksionin në të gjitha rastet që dalin -juridiksioni i detyrueshëm siç quhet – por, Rusia nuk e ka bërë këtë.

Pra, mënyra e vetme që Ukraina mund të ngrejë një çështje është duke iu drejtuar konventave që kanë një klauzolë në to që lejon që mosmarrëveshjet rreth interpretimit të konventës t’i referohen GJND-së dhe kjo është ajo që Ukraina po bën me Konventën e Gjenocidit.

Por, vlen gjithashtu të theksohet se jo vetëm kërcënimi ose përdorimi i forcës është shkelje e Kartës së OKB-së, por agresioni gjithashtu është një krim sipas ligjit penal ndërkombëtar. Individët, teorikisht, mund të mbahen përgjegjës për urdhërimin ose mbikëqyrjen e një akti agresioni kundër një shteti tjetër, por ka gjithashtu disa kufizime rreth asaj se sa e mundshme është që të gjendet një forum në të cilin mund të ngrihet kjo çështje.

Në teori, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka juridiksion mbi agresionin, por juridiksioni në atë rast është gjithashtu mjaft i kufizuar dhe nuk do të mund të përfshinte rastin e Rusisë dhe Ukrainës në këtë fazë.

Radio Evropa e Lirë: Duke e pasur parasysh këtë, sa e mundshme dhe sa e vështirë është të arrihet në të vërtetë drejtësia në sistemin ndërkombëtar dhe si mund të trajtohet në këtë rast të Ukrainës dhe Rusisë?

Anthony Dworkin: Është e vështirë, por jo e pamundur. Unë do të thosha gjithashtu se nuk duhet ta shikojmë vetëm në kuptimin e një procesi ligjor që do të vendosë kundër Rusisë, nuk është pika e vetme e ligjit. Ai gjithashtu po siguron një standard dhe një pikë referimi për ato vende që po bëhen bashkë kundër pushtimit të Rusisë, siç është vendosja e gjerë e sanksioneve që shohim nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe të tjerët. Kjo bazohet në faktin se Rusia po shkel ligjin ndërkombëtar. Pra, standardet ligjore kanë rëndësi.

Dworkin: Vendet nuk mund të pushtojnë një vend tjetër pa arsye

Radio Evropa e Lirë: Pra, ju po thoni se këto lloj çështjesh juridike mund të kenë vlerë të madhe simbolike, nëse asgjë tjetër?

Anthony Dworkin: Mendoj se një nga gjërat në të cilat vendet që po kundërshtojnë veprimet e Rusisë po i bazojnë vendimet e tyre, është jo vetëm mbrojtja e Ukrainës, por mbrojtja e një vizioni të tërë se si duhet të funksionojë rendi ndërkombëtar dhe mbrojtja e parimit që thotë se vendet nuk mund të pushtojnë një vend tjetër pa arsye.

Sigurisht që ndodh dhe ka ndodhur, por në këtë rast po shohim një reagim të fortë kundër këtij veprimi dhe që kryesisht bazohet në statusin e paligjshëm të [aksionit rus].

Nëse dëshmohen krimet mund të ketë ndjekje penale

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të na tregojnë shembujt e kaluar të skenarëve të ngjashëm? Pushtimi i Irakut nga SHBA-ja në vitin 2003 është një shembull që më vjen në mendje, por ka shumë të tjerë. Sa udhëzuese mund të jenë këto raste të kaluara për Ukrainën dhe Rusinë sot?

Anthony Dworkin: Ekziston një precedent i kufizuar që liderët të mbahen penalisht përgjegjës për akte agresioni. Kjo ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore në Nuremberg dhe në gjyqet e Tokios, por ato gjyqe kishin kufizimet e tyre. Për shembull, ato u inskenuan nga pala fitimtare dhe vetëm pala humbëse u vu në gjyq. Gjithashtu, Bashkimi Sovjetik, i cili kishte kryer agresion gjatë Luftës së Dytë Botërore, u lejua gjithashtu të zinte vendet e gjyqtarëve.

Por, nëse shikoni aktet e agresionit që kanë ndodhur, mund të shihni se ato kanë ndikuar në reputacionin politik të vendeve. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë vuajtur ndërkombëtarisht për pushtimin e Irakut. Mendoj se ai veprim e dëmtoi reputacionin e SHBA-së në mbarë botën.

Në dekadat e fundit ne kemi parë gjithashtu gjyqe shumë të rëndësishme të liderëve ushtarakë dhe politikë, si Sllobodan Millosheviç [lideri i ish-Jugosllavisë] që u përball me gjyq për mbikëqyrjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Kjo është gjithashtu diçka që duhet pasur parasysh këtu [me Ukrainën dhe Rusinë] dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale, ka juridiksion këtu, sepse Ukraina ka pranuar juridiksionin e gjykatës. Kjo do të thotë se çdo krim lufte që kryhet nga forcat ruse mund të ndiqet penalisht.

Sipas parimit të përgjegjësisë komanduese, udhëheqësit e lartë të Rusisë mund të ndiqen penalisht nëse mund të dëshmohet se ata urdhëruan, planifikuan ose mbikëqyrën krimet e luftës.

Tani, sa ka gjasa që në një afat të shkurtër të ngrihet ndonjë çështje e suksesshme ose ndonjë udhëheqës ushtarak rus ose të tjerë të paraqiten para gjykatës? Kjo është një perspektivë e pamundur në terma afatshkurtër, por në terma afatgjatë ne kemi parë që kushtet politike ndryshojnë dhe individët që dukeshin përtej mundësive të ligjit, papritur e gjejnë veten duke u paraqitur para gjykatave.

Mendoj se ia vlen të kihet parasysh dhe më duket shumë e rëndësishme që kushdo që është në gjendje ta bëjë këtë duhet të mbledhë prova për ndonjë krim që mund të kryhet gjatë rrjedhës së këtij konflikti dhe t’i mbajë ato prova në dosje. Nëse në ndonjë moment ekziston mundësia për të paraqitur një çështje, atëherë provat janë aty dhe ka dëshmitarë të gatshëm për të zhvilluar një çështje ligjore./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Turqia ndalon qarkullimin e anijeve luftarake në Bosfor dhe Dardanele

Story i radhës

Ministri Boçvaski: Përmes përdorimit efikas të IPA fondeve modernizojmë infrastrukturën në vend

Të fundit nga

Mickoski kërcënon prokurorët dhe gjykatësit!

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi aksion të ashpër ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, të cilët, siç thotë ai, nëse është e nevojshme, do të trajtohen ndryshe. Ai këtë e tha duke iu

20 të arrestuar për krime kibernetike në Kosovë

Njëzet persona jane arrestuar dhe rreth 120 mijë euro janë konfiskuar gjatë një aksioni policor në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë, pas dyshimeve për kryerje të veprave penale “hyrje e paautorizuar kompjuterike”
ShkoLartë