Ndryshimet e klimës i kanë vënë shumë vende para sfidash të mëdha ekologjike. Shpresat lidhen tani me një islam të gjelbër, që harmonizon fenë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe mund të ndihmojë për mbrojtjen e klimës.
Pas publikimit disa javë më parë të raportit alarmues të Këshillit Botëror të Klimës (IPCC), Indonezia është kthyer sërish në qendër të diskutimeve globale për klimën. Duke qenë eksportuesi më i madh në botë i qymyrit dhe i vajit të palmës, ky vend mban përgjegjësi të mëdha për krizën e shkaktuar në sektorin e klimës. Ndërkohë që ky shtet ishullor është i prekur vetë shumë herë nga moti ekstrem. Në vitin 2019 thatësira e madhe shkaktoi zjarre që dogjën sipërfaqe të mëdha pyjore. Në vitin 2020 vendi pati përmbytje të mëdha të shkaktuara nga reshjet më të rënda të dekadave të fundit.
Me 270 milionë banorët e saj, Indonezia gjendet para sfidash të mëdha shoqërore dhe ekologjike dhe tani është duke e parë fenë si një shans të madh. Duke qenë vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë, Indonezia është duke ngritur zërin në thirrjet për një islam të ndërgjegjshëm për mjedisin.
“Nuk ka dyshim se ndërgjegjësimi i ri për mjedinin i myslimanizmit i jep forcë gjithë lëvizjes ekologjike në Indonezi,” – shpjegon në bisedë me Deutsche Wellen, Fachruddin Mangunjaya, kryetar i Qendrës për Studimet Islamike në Universitetin Kombëtar të Xhakartës. Ndryshimi i mënyrës së të menduarit dhe kalimi tek energjitë e pastra janë të pashmangshme, por a është në gjendje një “islami i gjelbër” ta çojë vërtet përpara ndryshimin e shumëdëshiruar?
Një vend në dilemë
Me 17 mijë ishujt e saj, Indonezia ndodhet në mëdyshje. Dy mëkatarët më të mëdhenj të klimës, të cilët pushtojnë së bashku me largimin e plehrave kryetitujt e gazetave, janë energjia që prodhohet nga qymyri dhe erozioni i pyjeve. Indonezia nuk është vetëm kampion eksporti qymyri që përdoret për prodhim enegjie, por është edhe prodhuesi më i madh i vajit të palmës, i cili bën që çdo vit të çpyllëzohen sipërfaqe të mëdha pyjore për të hapur toka të reja. Qymyri dhe vaji i palmës krijojnë shtyllën kurrizore të ekonomisë indoneziane, e cila nuk mund të rritet pa energjinë e besueshme dhe pa eksportin e vajit të palmës.
Përndryshe ky model ekonomie do të dëmtonte pikërisht ata njerëz të cilëve duhet tu shërbejë: popullsinë indoneziane. Emisionet e dioksidit të karbonit që çlirohen nga centralet e prodhimit të energjisë që punojnë me qymyr dhe çpyllëzimi kanë pasoja të mëdha për shëndetin dhe kushtet e jetesës së popullsisë rurale. Për shkak të ndryshimit të klimës shumë province të humbura dhe të varfëra të Indonezisë, vuajnë rregullisht nga periudhat e thatësisë, gjë që shton varfërinë në vend.
Rregullat e fesë islame japin shpresa
Një rrugëdalje nga kjo dilemë pritet ta japë tani feja islame, së cilit në Indonezi i përkasin 87 përqind e popullsisë. “Mbrotja e natyrës dhe mjedisit është një nga rregullat e islamizmit. Prandaj përdorimi i energjive të pastra është për myslimanët i rëndësishëm si nga pikëpamja etike sdhtu edhe nga pikëpamja morale,” shpjegon antropologu indonezian Ibnu Fikri në bisedë me Deutsche Wellen. Së bashku me kolegun e tij Freek Colombijn nga Universiteti i Lirë në Amsterdam, ai ka bërë studime për “Islamin ekologjik” në Indonezi, një ndërveprimi midis njeriut dhe ambientit, inspiruar nga idetë dhe mësimet myslimane.
“Islami ekologjik” është duke tërhequr vëmendje më të madhe edhe në politikë. Qeveria rreth presidentit Joko Widodo, së bashku me udhëheqësit dhe komunitetin mysliman ka vënë si synim që deri në vitin 2060 të arrihet bilanci neto zero i emisioneve të dioksidit të karbonit. Kjo do të thotë që emisionet e shkaktuara nga njeriu nëpërmjet dioksidit të karbonit të largohen sërish nga atmosfera duke marrë masa kompesuese. Mbështetur tek ky parim Ministria e Mjedisit dhe Pyjeve nënshkroi vitin e kaluar një marrëveshje partneriteti me Nahdlatul Ulama (NU), organizatën më të madhe myslimane të vendit, për përmirësimin e manaxhimit të ambientit dhe të ekonomisë së qëndrueshme pyjore.
Mbrojtje mjedisi në nivel lokal
Por sipas Fachruddin Mangunjaya-s, kjo nuk mjafton. Nevoja për rritjen e ndërgjegjësimit për klimën nuk ka arritur të prekë pjesën më të madhe të popullsisë rurale dhe klerikëve të vendit. Por kjo është thelbësore: Një sondazh i Qendrës Katadata Insight i vitit 2020, tregon se qytetarët indonezianë kanë besim të madh tek informacionet që vijnë nga klerikët fetarë.
Prandaj në një Institut në Xhakarta është duke u punuar për këtë qëllim, në mënyrë që të ngrihen ura midis ekspertëve dhe liderëve të komunitetit mysliman dhe shkencës e praktikës në fushën e ambientit. “E rëndësishme është që klerikët të mos kuptojnë vetëm mësimet fetare, por edhe rëndësinë e tyre për klimën dhe ta kthejnë ndërgjegjësimin e tyre në veprime konkrete,” thotë Fachruddin. Aktualisht 1000 klerikë janë duke u këshilluar për çështjet e ambientit, në mënyrë që të bëjnë punë sqaruese në fshatra të ndryshme të vendit. Tendenca është në rritje.
Shkollat me konvikte si qendra aktivizmi
E rëndësishme është përfshirja dhe sensibilizimi i të rinjve për mbrojtjen e mjedisit. “Ne duhet të mendojmë më shumë për të ardhmen, në mënyrë që nxënësit tanë të gjejnë sa më herët përgjigjet e duhura për çështjet më të ngutshme të ambientit, dhe të angazhohen në komunitetet e tyre,” thotë për Deutsche Wellen, Khatibul Umam, drejtor i një shkolle myslimane me konvikt (Pesantren) në ishullin Madura.
Shkollat myslimane me konvikte përbëjnjë një pjesë të rëndësishme të sistemit indonezian të arsimit. Vetëm shkolla e Umamit numëron 11 mijë studentë. Këtu lidhja e myslimanizmit me mbrojtjen e ambientit është kthyer në detyrë thelbësore. Dhe ka pasur sukses. Shkolla merr tashmë pjesë në shumë projekte për mbrojtjen e ambientit si ripyllëzimi, bujqësia e qëndrueshme dhe recycling – të gjitha projekte rajonale të inspiruara nga myslimanizmi.
Kufijtë e “myslimanizmit ekologjik”
Megjithëse drejtimi është drejtimi i duhur, edhe Umami e di se aktivizmi islamik për ambientin ndodhet në fillesat e veta. “Sfida kryesore që kemi përpara jo vetëm në shkollat tona por në shoqëri në përgjithësi, është të tregojmë pse këto projekte kanë rëndësi për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe gjithë brezat që do vijnë.”
Në fund të fundit në Indonezi nuk ekziston një islamizëm i vetëm, thotë antropologu Ibnu Fikri: “Nëpërmjet detyrimit fetar në Indonezi (të shkruar në kushtetutë), ekzistojnë shumë praktika myslimane. Për disa feja është e përfshirë në jetën e përditshme, të tjerë ndihen më pak fetarë dhe janë myslimanë, sepse u është dashur që të vendosin për një fe.”
Pluralizmi krijon shance
Prandaj, nuk është vetëm myslimanizmi dhe mbrojtja e ambientit që duhet të harmonizohen me njëra tjetrën në afat të gjatë, por janë edhe grupet e ndryshme shoqërore.
Ekziston nevoja e qasjes së përgjithshme, që të përfshijë të gjithë shoqërinë. Studiuesi islamik Fachruddin Mangunjaya sheh shance të mëdha tek pluralizmi i Indonezisë. “Ne mësojmë shumë nga tradita e kohës së islamit. Bazuar në situatën demokratike të Indonezisë ne repsektojmë jo vetëm natyrën dhe ambientin, por edhe njeriun dhe idetë e tij.”
Kjo përshtypje të krijohet edhe tek Ibnu Fikri në studimet e tij për shoqërinë indoneziane. Ajo çka i nxit njerëzit për të mbrojtur ambientin është “ndërgjegja kulturore për ambientin”, një përzierje e fesë, traditave dhe praktikave lokale. Edhe nëse rruga është e gjatë: Për rritjen e ndërgjegjësimit për ambinetin dhe ndryshimin faktik të sjelljes, islamizmi mund të kthehet në të ardhmen në një burim të rëndësishëm inspirimi për shumë indonezianë.