A është lufta fillimi i fundit të Putinit?

March 8, 2022
min lexim

Kanë kaluar trembëdhjetë ditë që kur nisi lufta brutale në Ukrainë dhe presidenti rus Vladimir Putin nuk ka arritur ta nënshtrojë vendin. Ai nuk duket të jetë më pranë zëvendësimit të qeverisë sfiduese të Kievit me një regjim kukull.

Megjithëse me shumë më pak armatime, Ukraina ka arritur të përmbysë parashikimet e përhapura para luftës se nuk do të ishte në gjendje të qëndronte për një kohë të gjatë kundër forcave ruse dhe Kremlini tani përballet me perspektivat e një beteje të zgjatur duke ndezur një debat midis zyrtarëve perëndimorë dhe analistëve të pavarur nëse sulmi ndaj Ukrainës mund të shënojë fillimin e fundit të Vladimir Putinit.

Në pamje të parë, sondazhet sugjerojnë se Putini ka ende mbështetjen e shumicës për atë që Kremlini e quan një “operacion special ushtarak” në Ukrainë.

Sipas sondazheve të fundit nga Qendra Ruse e Kërkimeve të Opinionit Publik dhe Fondi i Opinionit Publik, të dyja të kontrolluara nga Kremlini, më shumë se 60% e rusëve e mbështesin atë. Por disa anketues sugjerojnë se sondazhet nuk janë të sakta dhe se mbështetja që po regjistrohet do të zvogëlohej shumë, nëse organizatat e sondazheve do t’i kishin pyetur të anketuarit nëse janë dakord me pushtimin e Ukrainës në vend të “operacionit special ushtarak”.

Por për sa kohë shumica e rusëve do të mbështesë edhe një “operacion të posaçëm ushtarak” pasi sanksionet ekonomike perëndimore rëndojnë mbi edhe më shumë firma, biznese dhe investitorët perëndimorë largohen nga Rusia? Sanksionet perëndimore kanë çuar tashmë në mbylljen e kufijve, racionimin e ushqimit dhe rënien e vlerës së rublës, e cila ra me deri në 30% kundrejt dollarit, niveli më i ulët historik.

Ekonomia e trazuar

Me një kolaps të sistemit bankar gjithnjë e më të mundshëm brenda disa ditësh, rusët po kufizohen në sasinë e parave që mund të tërheqin nga bankomatet në ekuivalentin e rreth 5 dollarëve. Banka Qendrore e Rusisë ka më shumë se dyfishuar normën bazë të interesit nga 9.5% në 20% në një përpjekje për të stabilizuar rublën.

Ndikimi i gjithë kësaj po ndihet më shumë nga rusët e zakonshëm, të cilët kanë parë rënien e vlerës së kursimeve dhe pagave të tyre që kur forcat ruse sulmuan Ukrainën dhe tashmë po luftojnë të përballojnë çmimet në rritje falë ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit global të shkaktuar nga pandemia.

Ekonomia e Rusisë mund të tkurret deri në 10% këtë vit, thonë disa ekonomistë, duke e shtyrë vendin në recesionin më të thellë që nga vitet 1990, kur rusët u zhytën në varfëri ndërsa u shemb Bashkimi Sovjetik. Në ditët e para të luftës, rusët u dyndën drejt bankomateve për të tërhequr sa më shumë që të mundnin nga paratë e tyre dhe për të blerë mallra konsumi të prodhimit perëndimor, nga frika se ato do të ishin të padisponueshme së shpejti.

Por perspektivat ekonomike afatgjata për rusët duken gjithnjë e më të zymta dhe Mikhail Khodorkovsky, ish-manjati i naftës në mërgim, i cili u shfaq si një kritik i shquar i Putinit pas një periudhe 10-vjeçare në burg, thotë se lufta ka “ulur ndjeshëm” shanset e Putinit për të mbetur në pushtet. “Jam i bindur se Putinit nuk i ka mbetur shumë kohë. Ndoshta një vit, ndoshta tre”, tha ai gjatë një interviste për CNN-in.

Ata që parashikojnë se ky është fillimi i fundit për Putinin thonë se përkeqësimi i krizës ekonomike mund të shkaktojë rënien e tij. Pika kryesore e mbështetjes politike të Putinit ka qenë premtimi i tij se rusët nuk do të përjetojnë më kurrë varfërinë dhe kaosin që duruan në vitet 1990. Narrativa kryesore e Kremlinit gjatë viteve në pushtet të Putinit ka qenë se ai ofron stabilitet ekonomik dhe është ai që edhe kundërshtarët e tij e pranojnë se rezonon me rusët e moshuar, të cilët kanë frikë të rijetojnë dekadën e parë post-sovjetike.

Ata pranojnë se lëvizjet protestës në të kaluarën – veçanërisht midis viteve 2011 dhe 2013 dhe gjatë viteve 2017 dhe 2018 – nuk arritën të nxisin shtresën më të gjerë të mesme dhe të ulët, shumë prej të cilëve varen nga puna shtetërore. Ky mbetet një problem për udhëheqësit e opozitës ruse, veçanërisht në vazhdën e një goditjeje në rritje të disidencës, mbylljes së mediave edhe më të pavarura të lajmeve, si dhe një censurë në rritje të platformave të mediave sociale, të cilat jo vetëm që heshtin zërat kritikë, por gjithashtu pengon opozitën të organizojnë protesta kundër luftës.

Reagimi i brendshëm

Por ndasi dhe shqetësime po shfaqet edhe mes pasardhësve të elitës ruse. Vajzat e zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov dhe ish-presidentit Boris Yeltsin e kanë denoncuar hapur agresionin në rrjetet sociale. Vajza e oligarkut Roman Abramovich ka thënë se “gënjeshtra më e madhe dhe më e suksesshme e propagandës së Kremlinit” është të sugjerojë se shumica e rusëve mbështesin sulmin. Dhe bordi i gjigantit rus të naftës Lukoil ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se duhet të ndiqen mjete diplomatike.

Megjithatë, besnikëria e rrethit të brendshëm të Putinit duket të jetë e qëndrueshme dhe Tatiana Stanovaya, themeluese e R. Politik, një platformë e pavarur analizash, thotë se parashikimet se elitat e biznesit dhe të sigurisë së Rusisë do të kthehen kundër Putinit janë të gabuara pasi ata mbështeten tek ai për pasuritë dhe pushtetin e tyre. Të tjerë thonë se do të duhet kohë që masa e gjerë e rusëve të fillojë të vërë në dyshim sundimin e Putinit për shkak të vështirësive ekonomike që ata vuajnë.

Përvoja ka treguar se Putini do të jetë në gjendje t’i mbijetojë çdo reagimi të brendshëm. Kjo ka shumë të ngjarë të mbetet e vërtetë”, thonë Andrea Kendall-Taylor, ish zyrtare e inteligjencës kombëtare për Rusinë dhe Euroazinë në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës amerikane dhe Erica Frantz, profesore e shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Miçiganit. Në një koment për revistën Foreign Affairs këtë javë, ato shkruajnë: “Në regjimet autoritare ku pushteti është i përqendruar në duart e një individi në vend që të ndahet nga një parti, junta ushtarake apo familje mbretërore – udhëheqësi rrallëherë dëbohet nga detyra për shkak të luftërave, edhe kur përjeton disfatë.”

Kjo ndodh shpesh për shkak se elitat nuk janë aq të forta sa të kërkojnë llogari nga diktatori ndërsa njerëzit e zakonshëm kanë pak mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Por, thotë Kendall-Taylor, “e veçanta për regjimet represive si ai i Putinit në Rusi është se ato shpesh duken të qëndrueshme deri në atë pikë sa nuk janë më”./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Katapultimi brrylor i Hashim Thaçit në politikë!

Story i radhës

Për motivim dhe kënaqësi personale, bëni një plan të aktiviteteve vjetore

Të fundit nga

Transportuesit privatë në Shkup sot nuk vozisin

Transportuesit privatë në Shkup sot nuk do të dalin në qarkullim, ndërsa ky vendim është sjellë në takimin koordinues të transportuesve të cilët në shenjë revolte dje pasdite kanë fikur automjetet e
ShkoLartë