Përfaqësimi i shtetit me njerëz kredibil është shumë me rëndësi për çdo vend. Në veçanti për Kosovën me shumë nevojë karshi propagandës serbe dhe armiqve tanë.
Ministria e Jashtme është ndër institucionet më të rëndësishme të një shteti, është pasqyra e shtetit. Në këtë kuptim dhe duhet pasur parasysh që në krye të saj të jenë njerëz me dinjitet, me peshë politike dhe njohje të gjerë, mbi të gjitha të jenë njerëz të mirë. Një gjë të tillë e kishte thënë edhe ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Thomas Kolly, duke sugjeruar Kosovën që “kujdeset që në Ministrinë e Punëve të Jashtme të punojnë njerëzit më të mirë”. Deri tani, në krye të Ministrisë së Jashtme, Kosova nuk ka pasur njerëz të mirë, kryesisht njerëz pa peshë politike, me dije mesatare, pa vizion, të pasionuar pas vizitave me para të shtetit, me zero efekt për vendin në fushën e njohjeve dhe veprimtarisë së saj.
Përveç kostove të shpenzimeve asgjë tjetër nuk sollën Kosovës. Deri tani në krye të Ministrisë së Jashtme kanë qenë njerëz si Skënder Hyseni, Enver Hoxhaj, Behxhet Pacolli, Meliza Haradinaj, dhe aktualisht Donika Gërvalla. Paramendo, Skënder Hyseni ministër i jashtëm, a ka më trishtim, më tmerr se kaq. Si mund të të njeh dikush kur i shkon si përfaqësues i një shteti të ri, gjoja me perspektivë etj, një person si Skenda apo Meliza shfaqet para tij.
Stagnimi i njohjeve ka ndodhur me të madhe kur ministër ishte Envr Hoxhaj, me Pacollin që vraponte si një tifoz i Trumpit në korridoret e botës. Prandaj edhe ka ngecje në të gjitha segmentet e shtetit që lidhen me punët e jashtme. Dështimet e vazhdueshme në diplomacinë e jashtme shtojnë nevojën për ndryshime të shpejta për të ndërruar qasjen e Kosovës në këtë segment. Krahas njerëzve të mirë, me përvojë, me dije dhe vizion, të ketë edhe investime, duhet rritet buxheti në mënyrë që të ketë sukseset e pritshme.
Disa nga prioritet që duhet pasur Ministria e Punëve të Jashtme: shtimi i njohjeve, futja në organizata të ndryshme ndërkombëtare, si Interpol, UNESCO etj, lobimi për liberalizim të vizave, paraqitja e qëndrimeve të Kosovës në raport me të ardhmen e saj.
Aktualisht është Donika Gërvalla, ndonëse e sulmuar fortë nga opozita ka pasur paraqitje brilante në OKB.
Duke gjykuar kështu, pra nga rezultatet mund ta ngreh pyetjen në titull të shkrimit: a është Donika Gërvalla ministrja ma e mirë e jashtme që kemi pasur?
E sigurt është se nuk është më e dobëta, secili gjykon nga këndvështrimi i vet, në bazë të punëve del se s’ka pasur më të mirë, së paku deri tani.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO