Pas shtyrjes për të gjashtën herë radhazi, sot do të mbahet sërish seanca për Arbër Paplekajn. Seanca është parashikuar që të mbahet në orën 09:45. Për shtyrjen e gjashtë radhazi është bërë shkak mos prania e të akuzuarit Paplekaj në seancë dhe kjo për një arsye të paparashikuar. Në një email të ardhur nga burgu është nënvizuar se nuk ka kapacitet për transportin e Paplekajt.
“Nuk ka një arsye objektive që varen nga ne, që seanca u shty. Ai donte të ishte në këtë seancë. Nuk kanë kapacitet ta shoqërojnë edhe pse Arbri ka dashur të jetë i pranishëm. Kështu thotë emaili”, tha avokati i tij.
Paplekaj qëndron në paraburgim në burgun 313 në Tiranë. Nën hetim për këtë ngjarje kanë qenë edhe dy zv.drejtorët e policisë Nikollaq Pallën, Albert Nushin dhe 6 policët e forcave ‘Shqiponja’ për shpërdorim detyre.
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazmend Bardhi. Pak ditë më parë Report Tv publikoi edhe pamjet për herë të parë të vrasjes së Pjerin Xhuvanit.
Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend. Këtë e bëri publik me zë dhe me figurë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin të paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.