Që nga viti i kaluar bota po përballet me një krizë energjetike të madhe. Që duhet ta kursejmë energjinë elektrike na rekomandojnë edhe ekspertët, por si duket jo të gjitha shtetet në botë po arrijnë të bëjnë menaxhim të duhur me këtë krizë aktuale. Në Maqedoni, zyrtarët paralajmërojnë se jemi duke kaluar krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Për të zbutur pasojat e krizës energjetike, Qeveria ka bërë disa rekomandime në të cilat është përmendur se institucionet publike duhet të respektojnë masat ose në të kundërtën – do të ndëshkohen. Në këtë listë ishin edhe komunat së bashku me Qytetin e Shkupitt.
Tashmë një pjesë e komunave kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të zbatojnë masat, duke shtuar se konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike megjithatë janë shkollat dhe kopshtet.
Kur u pyetën se nëse për shkak të krizës me energjinë elektrike, a do të pranohet propozimi që pushimet dimërore shkollore të jenë në periudhën dhjetor-janar, pra dy muaj dhe pushimi verorë të zgjat vetëm një muaj e gjysëm, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë që situata është duke u monitoruar, duke theksuar që, në ndërkohë, do të merren parasysh të gjitha iniciativat e ardhshme. “Qëndrimi i MASH-it është që shkollat duhet të jenë vazhdimisht të hapura përgjatë vitit shkollor dhe mësimi duhet të zhvillohet me prani fizike, sepse është në interesin më të mirë të nxënësve si dhe të parashikohet në kalendarë për organizimin dhe punën e shkollave fillore dhe të mesme në vitin shkollor 2022-2023. Sidoqoftë, MASH-i do të monitorojë situatën dhe në ndërkohë të gjitha iniciativat e reja do të shqyrtohen, si dhe opinioni do të njoftohet për çdo vendim të ri”, informojnë në MASH.
Nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale bëjnë të ditur që deri tani nuk është diskutuar me komunat për kohëzgjatjen e pushimit dimërorë.
“Ne dhe komuna po mendojnë të zbatojnë një mundësi të tillë, sidomos nëse do të ketë rritje të mëtutjeshme të çmimeve të rrymës. Sidoqoftë, ky propozim duhet të diskutohet dhe të vendoset në bashkëpunim me MASH-in. Mund të jetë një nga mundësitë për kursimin e rrymës dhe e shohim këtë ide si mundësi për shmangien apo reduktimin e mësimit online si në pandemi”, theksojnë BNJVL. Ministri Kreshik Bekteshi ndërkohë është shprehur se janë duke menduar për kufizimin edhe të temperaturave në klasa. “Nëse marrin kërkesë të drejtpërdrejtë nga Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale, ato mund ta shqyrtojnë kërkesën dhe të ndërmarrin një masë të tillë. Por së pari duhet iniciativë nga komunat apo Ministria e Arsimit dhe Shkencës me qëllimin e vetëm – të kursehet energjia elektrike dhe të mos jetë një barrë shtesë mbi buxhetin e institucioneve të lartpërmendura”, shtoi Bekteshi.