Nga bilanci i “fitoreve” gjëmëmbartëse për shumicën e shqiptarëve, me epilog përgjigjen e shtatë radhazi nga BE-ja, më 23 qershor 2022, për mos hapjen e negociatave të anëtarësimit, Edi Rama ka bërë të qartë vetë se është e keqja më e madhe e Shqipërisë në këta 9 vjet ose rreth 108 muaj! Plot enveristo-edramistë e kanë shumë të vështirë, thuajse të pamundur ta shikojnë e pranojnë këtë të vërtetë. Disa, ndoshta sepse ai u nxjerr mallin e Enverit. Të tjerë, se janë të lidhur me atë dhe qeveritarë të tij për nga degë e fije familjare, punësimi, biznesore, ortakërore…dhe se janë të fituar të mëdhenj prej tyre si parti e qeveri…
Në shenjë mirënjohjeje dhe të udhëhequr nga parimi “përderisa jam mirë e po fitoj shumë, ç’ më duhet mua se të paktën një milionë shqiptarë vuajnë për bukën e gojës dhe rreth gjysmë milioni të tjerë kanë ikur, po ikin dhe po mendojnë të ikin emigrantë nëpër botën perëndimore, me radhët e gjata si lumë” në aeroporte dhe pika të kalimit kufitar, e duan, mbrojnë, lavdërojnë apo bojatisin edhe më shumë se veten dhe se babën dhe nënën… Sipas tyre “kryeministër si Edi Rama” nuk paska lind nana”!!!??? Natyrisht, duke qenë qysh nga lindja me doza narcisizmi, tejpëlqimi dhe mbivlerësimi të vetvetes, autoritarizmi, euforie…, këto lëvdata dhe furçe që i vijnë nga poshtë dhe lart, e bëjnë Edi Ramën të ndjehet si Skënderbe i dytë, i shekullit 21 për shqiptarët…Për më tepër, e nxisin të vendosë e vulosë për shumëçka me kokën e vet, sipas dëshirave, tekave, interesave të veta. Kështu ai i është larguar qenies një kryeministër që ka si parim udhëheqës kolegjialitetin apo të një kryeministri normal…Me këto mendësi e praktika, pa apo me dashje, ai ka dëmtuar vetveten dhe partinë që drejton prej 17 vitesh, si dhe vendin dhe kombin, të djegur dhe përvëluar prej 78 vjetësh për një kryeministër shumë të aftë, tolerant, kolegjial, normal…, nga PKSH-PPSH-PSSH! Sikur të ishte kryeministër normal, si shumica nëpër botë, ai, shumë kohë edhe para kryeministrit të Bullgarisë, që dha dorëheqjen më 22 qershor 2022, duhet të kishte dhënë dorëheqjen nja 99 herë, 1 herë për çdo muaj sa ka qenë zyrtarisht në pushtet…
Arsyet, shkaqet, motivet, justifikimet…janë të shumtë dhe lehtësisht të gjetshëm. Edi Rama ka me bollëk arësye që të kishte “kujtuar” dhe bërë dorëheqjen për korrupsion të pafre, për arrestime ministrash dhe zyrtarësh të tjerë të lartë; për “falje” tokash për 99 vjet, sikur t’i kishte trashëgimi familjare, miqve qeveritarë e partiakë “investitorë strategjikë”; për mosmbajtje të premtimeve më 2013, 2017…. Gjithashtu, edhe për skenarin serbo- sorosian të “Ballkanit të hapur” (Serbisë së Madhe), hapur e qartësisht në dëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Por, edhe për bërjen e Shqipërisë të parën në Evropë e në botë për të këqija, për varfëri, PPP- ra, kriminalitet, emigracion, kultivim, trafikim, sekuestrim drogrash në portin e Durrësit dhe të vendeve të tjera fqinj apo më të largëta, deri në Ekuador…Së fundi, “adhuruesve të verbër” të Edi Ramës mund t’u kujtojmë edhe disa gjëma, mëkate, dështime të tjera, që mbajnë autorësinë e Edi Ramës, me shokë dhe shoqe. Ai dhe qeveritë e tij e kanë varfëruar edhe më shumë Shqipërinë, duke e mbajtur në vendin e fundit në Evropë për nivel pagash, pensionesh, mirëqenieje si dhe e kanë pakësuar, rreth gjysmë milioni banorë, duke i detyruar të ikin si emigrantë nëpër vendet e Perëndimit Kapitalist dhe jo në Rusinë dhe Kinën Socialiste!!!
Pak ju duken juve edramistëve të flaktë këto arsye të forta e të pajustifikueshme për vonesën e Edi Ramës tuaj të zemrës, posteve, pronave të falura badihava, privilegjeve të pamerituara e të pista, të multimilionave…, “për t’u kujtuar” për ekzistencën e nocionit, praktikës, traditës dorëheqje???
sa kuptohet apo nënkuptohet, mesazhi nga Brukseli, për të shtatin vit me radhë është i qartë, në SHQIP, ANGLISHT, FRENGJISHT…: shqiptarë, doni të futeni në BE sa më parë? Plotësoni kushtin kryesor: largoni sa më shpejt si kryeministër Edi Ramën, me ekipin e tij mbarë! Edhe për këtë vit justifikimi bajat u shpërnda pa mbaruar akoma samiti: fajin na e ka BE- ja dhe Bullgaria dhe jo…vetvetja e Rama- qeveria, përgjegjëse për mospërmbushjen e shumicës së kushteve në standardet e duhura apo optimale, pa pretenduar ato më të larta! Brenda natyrës së tij dje Edi Rama, në vend që të jepte dorëheqjen pa ardhur në Surrel, pra atje në Bruksel, bëri të kundërtën. Si qytetar dhe shqiptar ndjeva keqardhje për vendimet e djeshme të BE-së ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Por, njëherazi edhe turp e siklet nga reagimet dhe deklarimet e Edi Ramës, kur bëri me arrogancë dhe fjalor jo të denjë për postin, që mban prej 9 vjetësh, “me thonj e me dhëmbë” e me vota-vjedhje e vota-blerje, edhe prokurorin dhe doktorin ndaj vendimmarrësve të BE-së, edhe avokatin mbrojtës “falas” për Serbinë, Maqedoninë e Veriut, “Ballkanin e hapur”… Fajin dhe përgjegjësitë nuk i kërkoi tek vetja dhe qeverisja e tij e paaftë, dështake, e korruptuar nga fundi i këmbës deri në majë të kokës, por ia la në derë BE-së dhe Bullgarisë…Natyrisht, është e shprehshme dhe e kuptueshme se as këto nuk kanë qenë dhe nuk janë aq të përgjëruara ndaj nesh si vend e si komb, për ta pasur dhe parë Shqipërinë si vend anëtar në Bashkimin Evropian dhe Kosovën, me viza të liberelizuara, një e drejtë që i është mohuar prej vitesh…padrejtësisht dhe në formë diskriminimi të pa maskë, pa përjashtuar edhe pistën e dyshimit, për t’i bërë qejfin Serbisë dhe Rusisë.. .!!!??? Por, duke kërkuar me të drejtë plotësimin e të gjitha kushteve, në nivelin më të mirë të mundshëm e më të pranueshëm, në fund të fundit, qoftë edhe pa dashur, na bëjnë mirë e shprehin se nuk janë ndaj nesh fare të akullt. Të mirëkuptohemi, duke i kujtuar dhe kërkuar Edi Ramës dorëheqjen, nuk nënkuptoj sine qua non rikthimin e Sali Berishës dhe vetëm të tij! As kategorikisht apo detyrimisht rrotacionin e PS-së me ndonjë nga copat e PD-së. Disa herë jam shprehur në opinione të mia të botuara në gazetat “Telegraf”, “BOTA SOT” si dhe në facebook, jo më larg e fare freskët më 22 qershor, se për gjendjen katastrofike në të cilën ndodhet Shqipëria është e nevojshme dhe më e dobishme një qeveri jo partiake, me 14- 16 ministra dhe ministresha nga elitat intelektuale në vend dhe diasporë, me shumicë nga profesionet ekonomistë- financierë, inxhinierë, informaticienë, juristë, sociologë…, të diplomuar dhe doktoruar me djersë balli dhe me vepra të ndershme( jo me plagjiatura në pjesën më të madhe) në vende të Perëndimit…!
Referuar disa intelektualëve të diplomuar dhe doktoruar edhe në vende të zhvilluara të Perëndimit kapitalist, ofruar nga partitë kryesore, edhe në poste drejtuese partiake dhe qeveritare e përdorur prej tyre si kukulla dhe ushtarë të bindur partiakë, me të drejtë janë skeptikë se mund të ketë dhe gjenden intelektualë elitarë, me të vërtetë të pavarur nga klasa politike dhe qeverisëse 32 vjeçare në Shqipëri. Ndryshe nga këta unë, subjektivisht kam bindjen se nuk na mungojnë. Pra, kemi dhe jo pak! Natyrisht, jo me mijëra, por, me dhjetëra! Vështirë të ofrohen vetë. Kështu që na del detyra t’i gjejmë, t’u besojmë e ngarkojmë barrën e rëndë të nxjerrjes së vendit nga fundi i humnerës, ku është gremisur, gjatë 32 vjetëve gjasme demokraci, por, më me shpejtësi dhe pandalur, si një maune bananesh Ekuadori me frena të këputur, gjatë 9 viteve të Rama- qeveri!