9 vite pas premtimit të madh/ E vetmja “RILINDJE” që realizoi Edi Rama është ajo e Sali Berishës

min lexim

“Unë besoj fort se shqiptarët me vetëdije votuan Rilindjen. Dhe Rilindje do të jetë!”.

Me këtë premtim solemn të sanksionuar në programin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në shtator 2013, Edi Rama nisi rrugëtimin qeverisës të cilin e vazhdon edhe sot. Ishte koha kur kreu i PS-së lidhin aleancën me LSI, koalicion i cili e siguroi pushtetin me “1 milion shuplaka”.

4 vite më pas, në fund të mandatit qeverisës, Ilir Meta do të proklamonte: “Rilindja është si Ebola”.

Çfarë ishte në të vërtetë “Rilindja” e Edi Ramës? A ia doli ajo në 9 vite të ndryshojë faqen e Shqipërisë apo përfundoi duke “e sëmurë” atë me ethet hemoragjike afrikane, siç thotë Ilir Meta?

Të gjithë bien dakord, se kur 9 vite më parë, Edi Rama mori drejtimin e Këshillit të Ministrave, pritshmëritë ishin të mëdha. Qeveria “Berisha” ishte e drobitur dhe e shtypur nën peshën e skandaleve, korrupsionit dhe burokracisë administrative që lind nga pushteti i gjatë.

Kryetari i PS premtoi ndryshim rrënjësor të situatës, premtoi “Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.

Dyshimi është se pas 9 vitesh qeverisjeje, “rilindja” e vetme që rezultoi plotësisht e suksesshme, është ajo e Sali Berishës. Edi Rama ia doli që me aktet, veprimet, vendimet dhe sjelljen e tij, të faktorizojë dhe të rikthejë në politikën aktive ish-kundërshtarin e Ramiz Alisë në ’91, i cili sot rivjen si kundërshtar i vetë atij.

Le të bëjmë një bilanc të përmbledhur.

–Fill pasi mori pushtetin, Rama premtoi ta hiqte Shqipërinë nga harta e kanabisit. Me vendosmëri ai mësyu blindat drejt Lazaratit, duke e çliruar këtë “fshat” nga fama e keqe. Bimët e kanabisit u shkulën e u dogjën, shteti nguli flamurin triumfator në Lazarat. Por, pa kaluar 2 po 3 vite, simboli i Lazaratit të djeshëm u bë simboli i Shqipërisë. Kanabisi u mboll nga jugu në veri duke e bërë Shqipërinë një nga eksportuesit kryesorë të bimës në Europë. Jo vetëm kaq. Sipas raportit të OKB-së, Shqipëria u rendit në vendin e parë në botë për konsumin e kokanës për frymë. Dhe sot Edi Rama premton legalizimin e hashashit.

Me 3 ministra të Brendshëm të larguar pas skandaleve të ndryshme, mund të thuhet se Edi Rama NUK ARRITI ta rilindë rendin, sigurinë dhe luftën anti-krim në vend.

–Ai premtoi se do të qeveriste me “duar të pastra”. U miratuan kode etike qeveritare, u forcuan ligjet, u ndryshua Kushtetuta për t’i hapur rrugë drejtësisë. Gjithçka rezultoi një fasadë, “show”. Një pjesë e mirë e deputetëve, kryebashkiakëve dhe zyrtarëve të tjerë rezultuan kriminelë ordinerë, që nga trafikatët e drogës e deri përdhunues në grup. “Përgjegjësia është personale”, sigurisht. Por edhe pasi publiku u informua më “bëmat” e këtyre ish-të fortëve, Rama i mbajti më afër nën sqetull dhe nuk i lëshoi kurrë. Edhe kur i largoi formalisht, ai i shfrytëzoi nëpër fushata. I vuri në shërbim të pushtetit të tij. Sot, ka dy ish-ministra në burg dhe akuzat ndaj zyrtarëve nuk mbarojnë kurrë. Shqipëria noton në korrupsion, siç vërejti me të drejtë SHBA “në të gjitha nivelet e qeverisjes”. Mund të thuhet se Edi Rama NUK ARRITI të rilindë shtetin ligjor.

–Kryeministri i “Rilindjes” premtoi të pastronte qytetet, të ndryshonte faqen e tyre. Por sot, qeverisja e tij është zhytur keq në aferën e incerenatorëve, e cila deri tani “ka ngrënë” një ministër, një deputet dhe ca zyrtarë të tjerë. Kjo megaaferë qindra milionë euroshe përpos prangave, meriton edhe një film Hollivudi për pacipësinë, trashësinë, babëzinë e arkitektëve të aferës, ptë cilët grabitën buxhetin e shtetit në xhepat e tyre.

–Edi Rama premtoi të rilindte trashëgiminë kulturore, të ruante, ta valorizonte. Çfarë bëri në fakt? Nga Butrinti tek Pallati i Brigadave e dha trashëgiminë me koncesion, duke iu shërbyer klientëve të qeverisë deri në pikën e fundit dhe duke i majmur përveçse me paratë e buxhetit, edhe me “thesaret” e trashëgimisë.

–Edi Rama premtoi “shëndetësinë falas”, por e dha shëndetësinë me koncesion tek oligarkët dhe mafia e ilaçeve. Sot, 9 vite më pas, koncesioni i laboratorëve po hetohet nga SPAK, ai i ‘check-up’-it, gjithashtu.

–Edi Rama premtoi se do të luftojë pastrimin e parave, por sot projekton “amnistinë fiskale” për – siç e tha numri Dy i PS – ‘çunat e Londrës që kanë rrezikuar’. Ky projekt ka alarmuar edhe Komisionin Europian. Por Ramës aq i bën.

-Ai premtoi dikur se do të mbyllte “lojërat e fatit” dhe formalisht e bëri. Por, shpejt u kuptua se kjo ishte vetëm një lëvizje që “taksa” të mos shkonte në buxhetin e shtetit, por në xhepat e miqve. Bastet on-line lulëzojnë sërish dhe nëpërmjet alibisë së “Këshillimit Kombëtar”, pra – duke thënë se ato i kërkon populli – Rama planifikon t’i hapë sërish.

–Kryeministri i “Rilindjes” premtoi se do të jetë kampion i fjalës së lirë, por sot e kontrollon informacionin në mënyrë “gëbelsiane” dhe dënon gazetarët me “riedukim”, duke patur një sjellje diktatoriale e cila vihet re që në terminologji.

Të gjitha këto bëma të “Rilindjes” së Edi Ramës sollën çudinë e 7 korrikut, ku lumi i njerëzve u derdh para kryeministrisë jo për “hallin personal” të Sali Berishës, por sepse çmimet kanë standardin e Francës dhe rrogat, atë të Afrikës. Megjithëse “non-grata”, Berisha ia arriti të vihet në krye të PD dhe të marrë njerëzit pas vetes. Jo se ata shqiptarë që dolën më 7 korrik janë antiamerikanë. Por, atyre u ka vajtur thika në palcë.

Përfundimisht, mund të thuhet lirisht se e vetmja “Rilindje” që Edi Rama frymëzoi në këto 9 vite, ishte ajo e Sali Berishës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dybala mund të kalojë te Napoli?

Story i radhës

Interi i thur elozhe sulmuesit shqiptar

Të fundit nga