451 nxënës të Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Moranë të Studeniçanit prej sot bojkotojnë mësimin

October 7, 2024
min lexim

Shkup, 7 tetor – Në shkollën fillore “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të Komunës së Studeniçanit prej sot ka nisur bojkotimi i mësimit duke lënë jashtë bankave shkollore 451 nxënës. Sipas këshillit iniciues, mësimi bojkotohet për shkak se nuk lejohet mëvetësimi i shkollës e cila për momentin figuron si shkollë periferike e shkollës qendrore të fshatit Studeniçan. Banorët e fshatit Moranë të revoltuar thanë për Alsat se kërkesa për ndarjen e shkollës ka nisur që në vitin 2014 dhe se objekti shkollor i plotëson të gjitha kushtet për të funksionuar si shkollë më vete. Banorët thanë se ndër shkaqet kryesore të mëvetësimit të shkollës është mos investimi në këtë objekt nga ana e komunës.

“Jemi 18 paralele, kemi 450 nxënës, objekti I plotëson kushtet dhe asgjë nuk ka pengesë. Nuk interesohen për këtë shkollë, absolutisht. Ne e kemi renovuar shkollën komplet vet, objektin e kemi shtuar vet, me financat e fshatarëve, prej komunës dhe shkollës qëndrore nuk kemi as një ndihmë, ndihma e vetme që ka qenë na kanë leju me punu”, thonë nga Këshilli Iniciues.

“Dëshirojmë t’i kemi kushtet tona, kuadrin tonë e kemi, klasat dhe të tjerat I plotësojmë. Më mirë të jemi të pavarur se të varur, ta kemi drejtorin tonë. Ma mer mendja se më mirë do të ecën puna me mësim, me edukatë”, tha një banor.

Sipas banorëve, përveç sallës së sportit, çdo investim tjetër në këtë shkollë është bërë me financim të banorëve. Përgjegjësi i shkollës tha se pavarësisht bojkotit i gjithë stafi mësimor është në vendin e punës.

“Janë të lajmëruar se nuk do të filloj mësimi, do të bojkotohet por ato do të vijnë në punë. Mund t’i vëreni se këtu janë arsimtarët, të gjithë janë këtu në vend pune por për fat të keq do të rrinë derisa t’ju mbaroj orari i punës kurse nxënësit do të rrinë nëpër shtëpitë e veta”, u shpreh Etem Rushoti, përgjegjës i shkollës.

Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku tha për Alsat se mbështet kërkesat e prindërve por nuk pajtohet me bojkotin e mësimit. Sadiku apeloi banorët për ndërprerje të bojkotit për shkak se është në dëm të nxënësve ndërkohë që paralajmëroi përsëritje të procedurave për mëvetësim të shkollës.

“Edhe një herë duhet t’ja dëshmojmë Qeverisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave se është nevojë që kjo shkollë të ndahet. Zgjidhjen duhet ta bëjnë organet kompetente që janë. Unë u lutem edhe njëherë që fëmijët të kthehen në mësim, procesi arsimor të vazhdoj mirëpo kërkesat ne do ti vazhdojmë edhe procedurën në mënyrë legaledo ta kërkojmë. Nuk fitojmë asgjë nëse fëmijët humbin”, tha Azem Sadiku, kryetar i komunës së Studeniçanit.

Banorët thanë se bojkoti nuk do të ndërpritet deri në zgjidhjen pozitive të kësaj çështje./

BURIMI: zhurnal.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Aplikacioni Telegram përdoret gjerësisht nga banda të Azisë Juglindore thotë një raport i OKB

Story i radhës

Filipçe: Integrimi në BE i bllokuar – Mickoski të prononcohet në Kuvend!

Të fundit nga

ShkoLartë