40 km larg makinerive ushtarake ruse, qyteti 350-vjeçar në tension; ukrainasit marrin masat për luftë

Perëndimi i ka kërkuar Rusisë që të ulë tensionet me Ukrainën dhe të tërheqë makinerinë ushtarake nga kufiri me vendin fqinj. Por situata në qytetin Kharkiv në pjesën verilindore të Ukrainës, vetëm 40 kilometra larg kufirit ku janë stacionuar mijëra trupa ruse, ndihet e rrezikshme, sipas banorëve të qytetit.

Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës është një nga qendrat kryesore industriale të vendit dhe përfshin dy fabrika që restaurojnë tanket e vjetra të epokës sovjetike dhe ndërtojnë modele të reja.

Situata në qytetin mbi 350 vjeçar Kharkiv duket e tensionuar. Vetëm 40 kilometra larg kufirit ku Rusia ka stacionuar mijëra trupa dhe makineri të rënda ushtarake, qyteti është i ndarë mes atyre që dalin vullnetarë për t’i rezistuar ofensivës ruse dhe atyre që thjesht duan të jetojnë jetët e tyre në paqe.

Nëse Rusia sulmon, shumë nga rreth 1 milion banorët e Kharkiv-it thonë se do të jenë të gatshëm të mbrojnë qytetin e tyre kundër një prej fuqive më të mëdha ushtarake në botë.

Klinika e dentisit Oleksandr Dikalo, në katin e parë të një pallati 16-katësh, është caktuar si vend strehim për disa qindra banorë në rast lufte. Mjeku Dikalo di të përdorë armët.

Ai ka shërbyer në ushtrinë sovjetike dhe ka qënë i stacionuar në Gjermaninë Lindore. Bashkëshortja e tij është mjeke në spitalin e urgjencës dhe kujdeset rregullisht për ushtarët ukrainas të plagosur në front.

“Gjithçka varet nga ne, banorët e Kharkiv-it. Nuk mund të lejojmë që qyteti ynë të përfundojë si Donetsk-u. Banorët atje, e lanë qytetin të pushtohej. Ndaj ne këtu nuk duhet ta dorëzojmë qytetin. Ne duhet ta mbrojmë”, thotë dentisti Oleksandr Dikalo.

Për shkak të moshës, 60-vjeçari nuk i plotëson kushtet për t’u bashkuar me njësitë e mbrojtjes civile që po formohen në të gjithë vendin, por ai është gati të veprojë për të parandaluar rënien e Kharkiv-it.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha së fundmi se çdo përshkallëzim mund të varet nga qyteti Kharkiv.

Qyteti është gjithashtu baza e politikanit dhe pronarit të medias, Yevheniy Murayev, i identifikuar nga inteligjenca britanike si personi që Kremlini po konsideronte ta instalonte si president.

Kur ishte vetëm 18 vjeç Anton Dotsenko ishte i përfshirë në valën e protestave që rrëzuan qeverinë pro-ruse në vitin 2014. Tani, punonjës në sektorin e teknologjisë, 24-vjeçari thotë se vendi i tij ka përjetuar trazira të shumta dhe dëshira e tij është që të mos ketë viktima.

Një grup të rinjsh patriotë është i gatshëm të mbrojë qytetin Kharkiv, pa marrë parasysh koston. Çdo javë ata stërviten në një kantier t ë braktisur ndërtimi.

“Kharkovi është shtëpia ime, është qyteti më i rëndësishëm për mua për t’u mbrojtur. Është vija e parë e fronit, ka rëndësi ekonomike dhe strategjike”, thotë një prej të rinjve që po stërviten për të mbrojtur qytetin në rast lufte.

Të njëjtën ide ndajnë edhe ukrainasit e tjerë, që nga kryeqyteti Kiev e deri në perëndimin e largët, në Lviv.

Rusia mohon të ketë plane për një ofensivë, por ajo kërkon premtime nga NATO-ja për të mbajtur Ukrainën jashtë aleancës dhe mes të tjerash për të tërhequr forcat e saj nga Evropa Lindore. Brukseli dhe Uashingtoni i kanë hedhur poshtë kërkesat e Moskës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ruzhdi Matoshi: Kur VMRO e Mickovskit flet për korrupsion, ajo është hipokrizi

Story i radhës

Çfarë do të thotë të dilni nga “zona juaj e rehatisë”?

Të fundit nga