Fieri u trondit sot nga një tjetër ekzekutim me armë zjarri. Selami Hasani është vrarë këtë të hënë, në një atentat pranë banesës së tij, ndërsa nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe nipi i tij, Jakup Hasani.
Ngjarja rikthen në vëmendje një histori të gjatë përplasjesh dhe gjakmarrjeje, që dyshohet se daton prej vitit 1994, mes Selami Hasanit dhe Arben Isufajt. Një konflikt i shoqëruar ndër vite me vrasje dhe atentate, pasojat e të cilit duket se vijojnë të shënojnë një tjetër kapitull të përgjakshëm.
Në emisionin Top Story me Grida Dumën u diskutua mbrëmjen e sotme për këtë ekzekutim mafioz, duke nxjerrë të gjitha vrasjet që kanë ndodhur që nga viti 1994 për shkak të hasmërisë.
Pasojat e hasmërisë ndërmjet Arben Isufajt dhe Selami Hasanit:
1994
Arben Isufaj bën sherr fizik me Pirro Koçiun dhe kushërinjtë Yzeiri, që njiheshin si pjesë e grupit të Selami Hasanit. Enveri, babai i Isufajt, futet për të sheshuar problemet.
1994
Vritet në një bilardo pranë banesës së tij, Enver Isufaj, babai i Arben Isufajt. Në vrasjen dyshohet se kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit.
1998
Ekzekutohet në mes të sheshit, Vladimir Hyseni, vëllai i Selamisë.
2001
Ekzekutohet në Spanjë, Pajtim Yzeiri. Ky shtetas dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e babait të Ben Qimes në vitin 1994. Dyshimet për vrasjen në Spanjë u drejtuan tek Julian Isufaj, djali i xhaxhait të Ben Qimes.
25 mars 2002
Julian Isufaj do të ishte viktimë e një atentati brutal në qendër të Fierit. Aksidentalisht vritet edhe kambisti Esat Tare, ndërsa mbetet i plagosur një kalimtar rasti dhe Bledar Kastrati, që shoqëronte Isufajn. Autorë ishin Selami Hasani, Pëllumb Yzeiraj dhe Kujtim Hasanbasha.
12 gusht 2002
Vritet Pirro Koçiu në Tiranë. Ben Qimja u arrestua për vrasjen në vitin 2008, pasi një gjurmë gishti u gjet në armën e gjetur. U lirua më vonë.
23 nëntor 2026
Vritet Selami Hasani, armiku i betuar i Arben Isufajt, në derën e shtëpisë së tij. Plagoset nipi, Jakup Hasani.
Ndërkohë gazetari Eraldo Harlicaj, i ftuar në Top Story, u shpreh se vrasja e Selamisë në shtëpi, tregon se ka qenë i monitoruar.
“Vrasja në shtëpi tregon se ka qenë i monitoruar. Është afruar një makinë që kanë dalë dy vrasës, e kanë qëlluar për vdekje. Kanë patur informator, nga oborri i shtëpisë te rrugica. Logjikisht është e parapërgatitur. Kanë informatorë në zonë që monitorojnë lëvizjet e kundërshtarëve. Është tregues force kur e vret në shtëpi. Kanë gjetur 10 gëzhoja. Edhe nipi ka marrë 4 plumba, fatmirësisht operacioni ka dalë me sukses. Pista e vetme e policisë, deri në këto momente, hakmarrje me Arben Isufajn, i njohur si Ben Qimja”, tha gazetari.
Sipas Harlicajt, Hasani kishte fuqi ekonomike, kjo është edhe arsyeja përse policia ka qenë e vakët.
“Edhe protagonistët, që janë të fortë ekonomikisht, nuk i denoncojnë çështjet, sepse dinë shumë mirë se nga kush i vijnë problemet. I vetmi politikan që ka folur për lidhjet e bandave të Fierit me politikën ka qenë ish-kryetari i PS në Fier, Petro Koçi, që tregonte vështirësinë për të punuar në atë qytet për shkak të ndërhyrjeve të këtyre emrave të fuqishëm në këtë qytet”, tha ai.
Ish-prokurori Eguen Beci u shpreh se në çdo qytet ka kështu ndërhyrjesh, por ndryshe nga çdo qytet tjetër, nuk goditen.
“Edhe çështjet që i hapen me gjykatat, i zgjidhin pa bujë dhe pa zhurmë”, tha Beci.
Burimi: botasot.info


