Më 14 shkurt të vitit të kaluar ndodhi ajo që pak kush e kishte imagjinuar, një parti politike fiton mbi 51 % të votave. Kjo ishte hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së vendit tonë që një parti fiton mbi 50 % të votave. Kjo gjë u arrit, VV së bashku me Listën Guxo të Vjosës fituan afërsisht 53 % të votave, duke arritur të formojnë qeverinë vetëm, pa koalicione. Pritshmëritë kanë qenë të mëdha pasi dëshpërimi dhe zhgënjimi po ashtu ka qenë shumë i madh me ish qeveritë e kaluara. Një vit pas është kohë e mjaftueshme për të bërë një përshkrim për rezultatet e kësaj qeverie, pra se sa ka arritur qeveria e pas 14 shkurtit të kënaq pritshmëritë e qytetarëve. Ka edhe të atillë që kanë pritur rezultate më të shpejta.
Situata me Covid e cila ka shkaktuar krizë të përgjithshme globale ka ndikuar edhe në vendin tonë, me paturpësinë e opozitës që akuzon qeverinë edhe kur rritet çmimi energjisë, karburantit dhe produkteve tjera ushqimore. E gjithë Evropa po përballët me rritje të çmimit të energjisë, po ashtu edhe çmimi i kraburantit po shënon rritje në bursat ndërkombëtare. Kosova s`ka mundësi të shpëtojë nga këto rritje.
Paramendo kur shtete më të mëdha ndikohen dhe pësojnë krizë, si mos të pësojë Kosova e vogël ekonomikisht, e varur kryesisht nga pak të hyra në dogana dhe remitencat. Në gjykimin tim shenjat janë pozitive në trasimin e rrugës që po ndërton qeveria aktuale për brezat dhe gjeneratat e reja. Futja në buxhet e shtesave për fëmijët, dhënia e ndihmave për fëmijët deri në moshën 16 vjeçare, pastaj universiteti publik gratis, rritja e pensioneve, ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë, verifikimi i mësimdhënësve kush punon etj, dhe shumë të tjera janë vetëm disa nga nismat që ka bërë kjo qeveri për 1 vit, duke vënë në pah atë dhe që është më kryesore: Pa asnjë aferë korruptive.
Është e kuptueshme që qeveria s`mund të bëjë të gjitha përnjëherë, nuk ka shkop magjik, mirëpo shenjat janë të mira. Ndonëse ekziston mundësia që të punohet edhe më mirë dhe më me efikasitet, duket se ka ndryshuar mendësia qeverisëse në vendin tonë dhe kjo nuk është gjë e vogël. E dëshpëruar dhe akoma e shokuar nga debakli i 14 shkurt të vitit të kaluar, opozita s`po arrin të këndellet dhe të pranojë realitetin mesazhin që dhanë qytetarët. Ndonëse kanë bërë disa ndryshime në emra, opozita s`ka arritur të lexojë drejtë mesazhin e qytetarëve. Me ketë logjikë, qeveria aktual e ka të sigurt edhe mandatin tjetër, përjashtuar këtu ndonjë të papritur.
Vetëm bisedimet me Serbinë, konkretisht asociacioni mund të prish ekuilibrat në këtë aspekt, përndryshe Kurti do të vazhdojë të jetë kryeministër edhe në mandatin tjetër. Opoinionet janë të ndryshme, faktet janë të njëjta, qeveria aktuale ka filluar të vë në shinat e drejtë trenin që 20 vjet kishte dalë nga binaret.