​Petritsch: Në Ukrainë sfidohet përvoja dhe vendosmëria e Presidentit Biden

January 22, 2022
min lexim

Ish i dërguari special i Bashkimit Evropian për Kosovën gjatë viteve 1998-1999, ambasadori Wolfgang PETRITSCH, thotë se Ballkani nuk është më fokusi i politikës së jashtme amerikane, por janë Kina dhe Rusia.

Në një intervistë ekskluzive për KP, ambasadori PETRITSCH tha se kriza në Ukrainë është një sfidë e direkte për presidentin Biden dhe Evropën, pasi sfidon përvojën dhe vendosmërinë e presidentit Biden.

Ambasadori PETRITSCH foli edhe për tensionet në Ballkan dhe lidhjen e tyre me zhvillimet në Ukrainë.

Fakti që prej tre vite ishte Përfaqësues i Lartë në Bosnje-Hercegovinë, tensionet në këtë vend i sheh shumë serioze, por nuk mendon se mund të shpërthejë një luftë e re pasi SHBA, BE dhe NATO janë gati të ndërhyjnë.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ambasadori PETRISCH pret një dinamikë të re dhe shpreson shumë në përvojën e ambasadorit Chris Hill dhe anëtarëve të tjerë të ekipit të Presidentit Biden që do të merret me Ballkanin.

Intervista:

KosovaPress: Z. Ambasador, vitin e kaluar u shënuan përpjekje të mëdha të Perëndimit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por në fakt takimet e liderëve të dy vendeve nuk sollën asnjë rezultat. Nga këndvështrimi juaj, si një diplomat me përvojë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte problemi?

PETRITSCH: Viti 2021 ishte një kohë e shumë ndryshimeve politike – si në rajon ashtu edhe në botë – të cilat e bënë të vështirë zhbllokimin e përpjekjeve ndërmjetësuese të bllokuara të Bashkimit Evropian. Jo më pak ndryshimi i qeverisë në Prishtinë, ku ndodhi një largim historik nga qeverisja 20-vjeçare e dominuar nga UÇK-ja. Kjo ndërprerje në politikën e Kosovës, kontribuoi në përparimin e pakët në Dialogun Prishtinë-Beograd. Por ishte e rëndësishme që takimet e nivelit të lartë nuk ndodhën fare. Ata duhet të njihen me njëri-tjetrin.

U desh gjithashtu kohë para se Vuçiq dhe Thaçi të bisedonin me njëri-tjetrin. Më kujtohet kur i propozova Presidentit Federal austriak z. Alexander Van der Bellen që t’i ftojë të dy në takimin vjetor në fshatin Tyrolean të Alpbach, ishte një komunikim i hapur dhe serioz mes dy liderëve. Tashmë që kryeministri Kurti po udhëheq qeverinë, padyshim që ka gatishmëri për vazhdimin e dialogut. Do të shohim se cila do të jetë strategjia e z. Kurtit. Megjithatë, në Serbi do mbahen zgjedhje në fillim të prillit dhe kjo do të thotë një shtyrje tjetër e nevojshme derisa të zgjidhet presidenti dhe të formohet qeveria në Beograd.

KosovaPress: A mendoni se strategjia e Perëndimit për dialogun duhet të ndryshojë?

PETRITSCH: Gjithmonë ekziston nevoja për të përshtatur procesin me rrethanat e reja. Por në thelb dialogu duhet të vazhdojë. Unë besoj se mbështetja e SHBA-së do të jetë më shumë në përputhje me BE-në tani, sesa ishte gjatë Presidentit Trump.

KosovaPress: Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, paralajmëron sanksione të reja për politikanët që në një farë mënyre minojnë dialogun Kosovë-Serbi. A mund të ndryshojë kjo dinamikën e dialogut dhe qëndrimet aktuale të palëve?

PETRITSCH: Në bisedimet e mia të fundit në Uashington u largova me përshtypjen se administrata Biden është e etur për të përdorur sanksionet si një instrument politikash në rajonet ku nuk sheh shumë përparim. Ky është rasti me anëtarin e Presidencës serbo-boshnjake, z. Milorad Dodik, të cilit – pas vitit 2017 – iu vunë sërish sanksione, gjithashtu edhe këshilltarit të tij ligjor, dhe një stacioni televiziv të afërt me z. Dodik.

Se a do të pasojnë më shumë sanksione dhe nëse ato do të ndikojnë gjithashtu në Dialogun Prishtinë-Beograd – nuk e di. Do të varet shumë nga BE-ja e cila është më e përmbajtur kur bëhet fjalë për masa të tilla të ashpra. Shpresoj se në Dialog do të mbizotërojë përgjegjësia politike dhe gatishmëria për kompromis.

KosovaPress: Disa analistë kanë ngritur shqetësimin se ndërsa Perëndimi i udhëhequr nga Presidenti Biden është fokusuar në krizën e Ukrainës, për të shmangur një konflikt të madh me SHBA-në dhe Perëndimin për Ukrainën, presidenti rus Putin po përpiqet të ushqejë një krizë mes Serbisë dhe Kosovës. A ka lidhje kriza në Ukrainë me zhvillimet në Ballkan?

PETRITSCH: Keni të drejtë, konfliktet në kufijtë lindorë dhe jugorë të BE-së janë disi të ndërlidhura nga fakti se presidenti rus Putin po abuzon me pyetje të hapura – si në rajonin e Ballkanit Perëndimor – për të ndjekur strategjinë e tij shpërqendruese për të dobësuar Evropën. Jam i bindur se liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kuptojnë se nuk duhet të varen nga Moska, por të vendosin marrëdhënie të mira partneriteti me Brukselin dhe kryeqytetet e rëndësishme si Berlini.

KosovaPress: Për dy dekada me radhë deri në vitin 2021 në Ballkan ishte pothuajse vetëm një problem serioz, pra mes Kosovës dhe Serbisë, por pas shumë vitesh kriza në Bosnje ka shkaktuar shqetësim të madh në rajon. Çfarë fati e pret Bosnjën. A ekziston rreziku i shpërbërjes së saj apo do të normalizohet situata?

PETRITSCH: Siç mund ta imagjinoni, unë jam veçanërisht i shqetësuar për Bosnjën dhe Hercegovinën pasi kalova tre vite shumë dramatike si Përfaqësues i Lartë i komunitetit ndërkombëtar. Gjatë mandatit tim u arritën reforma të rëndësishme si krijimi i Gjykatës së Shtetit dhe Prokurorisë, kthimi i afro një milion refugjatëve, rindërtimi i qindra mijëra shtëpive, dhe krijimi i një qeverie shtetërore funksionale.

Që prej shumë vitesh, komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë një punë të mirë në Bosnje, dhe politikanët nacionalistë të të tre popujve – boshnjakët, serbët, kroatët – kanë krijuar një shtet të kapur nga korrupsioni i shfrenuar dhe lidhje me mafian ballkanike, e cila është e vetmja organizatë vërtetë multietnike, sepse kriminelët bashkëpunojnë përtej ndarjeve etnike.

Tani SHBA-të dhe BE-ja më në fund po ndërmarrin hapa të vendosur. Ka më shumë për të pritur për të shmangur një ndarje të Bosnjës. Unë jam i bindur se nuk do të ketë luftë pasi BE dhe NATO janë vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë nëse ndodh diçka e keqe.

KosovaPress: Presidenti Biden ka emëruar diplomatët më eminentë amerikanë për t’u marrë me Ballkanin. Kam përshtypjen se ju i njihni të gjithë sepse janë diplomatë të cilët kanë qenë shumë të angazhuar në çështjen e Kosovës në kohën kur ju ishit i dërguar i posaçëm i BE-së për Kosovën. A prisni angazhim më të fortë amerikan në Ballkan këtë vit?

PETRITSCH: Po, është mjaft interesante të shohësh kaq shumë miq të vjetër amerikanë që kthehen në Ballkan. Kam pasur një bisedë të gjatë me mikun tim të dashur Chris Hill në Uashington, në dhjetor, dhe kemi shkëmbyer mendimet tona për situatën aktuale, rreth 20 vjet pasi ishim përfshirë në mënyrë aktive në konflikt. Unë besoj se emërimi i Hill-it si i dërguar i Uashingtonit në Beograd është një sinjal i qartë nga Presidenti Biden se ai dëshiron të shohë rezultate pozitive në rajon. Ballkani nuk është më fokusi i politikës së jashtme të Amerikës. Është Kina dhe Rusia. Kriza e Ukrainës është sfidë e menjëhershme për Biden-in dhe Evropën. Aty sfidohet përvoja dhe vendosmëria e tij.

Prandaj do të varet shumë nga vullneti i Beogradit dhe Prishtinës për t’u riangazhuar seriozisht në kërkimin e një zgjidhjeje. Ambasadori Hill me siguri do ta përdorë mirë përvojën e tij të madhe të cilën e ka fituar në pika konflikti shumë më të vështira si Koreja dhe Iraku. Pritet një moment i ri në procesin e Dialogut.

KosovaPress: Ishte një periudhë disavjeçare kur Britania e Madhe disi u tërhoq nga përfshirja e drejtpërdrejtë në zhvillimet në Ballkan. Së fundi, Britania emëroi një të dërguar special për Ballkanin Perëndimor, ndërsa Austria, vendi juaj, ka filluar të luajë një rol më aktiv në zhvillimet në rajon. A do të thotë kjo se vendet (Britania, Franca dhe Austria) që kanë qenë historikisht aktive në zhvillimet ballkanike duan të përdorin përvojën e tyre të kaluar për të sjellë paqen në Ballkan?

PETRITSCH: Pasi u largua nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe tani duhet të përcaktojë politikën e saj të jashtme. Ishte një vendim i mirë për të emëruar një të dërguar special pasi Londra ka luajtur gjithmonë një rol të madh në rajon. Më kujtohet kur unë si i dërguar i posaçëm i BE-së udhëtova në Kosovë shumë herë, ambasadori britanik ishte në anën time; dhe ai ishte shumë i dobishëm dhe kishte njohuri. Prania britanike në Ballkanin Perëndimor është një shenjë e qartë se Zyra e Jashtme e saj e sheh situatën si të paqëndrueshme. Jam i sigurt se trojka BE-SHBA-BM do të jetë një lojtar i rëndësishëm. Përveç kësaj, Franca tani ka Presidencën e rradhës të BE-së, dhe Presidenti Macron e ka vendosur Ballkanin Perëndimor lart në axhendën e tij evropiane. Është e qartë se pyetja më e menjëhershme është bllokada bullgare e fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE nga Maqedonia e Veriut. Shpresoj se Franca do të jetë në gjendje të zhbllokojë Veton bullgare. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për Shqipërinë që në njëfarë mënyre ka pësuar dëme kolaterale, si të thuash, nga mospërputhja e Bullgarisë.

Vendi im Austria vazhdon të jetë e angazhuar në rajon, në fakt Ballkani Perëndimor është prioriteti kryesor i Ministrisë sonë të Jashtme. Marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta me Prishtinën, por edhe marrëdhëniet e ngushta me Beogradin dhe kryeqytetet e tjera, i japin Vjenës një mundësi unike për të përdorur shërbimet e saj të mira, si një vend neutral, për të mbështetur në mënyrë konstruktive integrimin në BE të të gjithë rajonit. Austria i përket investitorëve kryesorë në rajon; Vjena është një qytet multikulturor falë numrit të madh të popujve nga ish-Jugosllavia.

KosovaPress: Ju keni përvojë të konsiderueshme në zgjidhjen e krizave në Ballkan dhe nga kjo perspektivë më intereson mendimi juaj për nismën e Ballkanit të Hapur. Po ju pyes hipotetikisht, – me këtë iniciativë si do të duket Ballkani në vitin 2025?

PETRITSCH: Nuk është hera e parë që propozohet një tregti e lirë rajonale. Këtë herë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Jam i vetëdijshëm se ekziston modeli i Procesit të Berlinit dhe kryeministri Kurti ka edhe një propozim. Meqë ra fjala, Brukseli ka propozuar një ide të ngjashme, të quajtur Tregu i Përbashkët Rajonal.

Por, me sa mund të shoh, nuk ka shumë ndryshim nga nisma e Ballkanit të Hapur. Megjithatë, unë shoh çështjen e atyre që janë skeptikë se nisma Beograd-Shkup-Tiranë do të ishte diskriminuese ndaj ekonomive kombëtare më të vogla. Këto shqetësime mund të eliminohen lehtësisht, jam i bindur, në bazë të përfshirjes dhe barazisë.

Cilido qoftë rezultati përfundimtar – dhe unë nxis vendime të shpejta – një hapësirë e hapur tregtare dhe ekonomike me një lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve përtej kufijve do të ishte fitimprurëse për rajonin dhe do të shërbente si një lloj terreni i trajnimit për anëtarësimin eventual në BE.

Në këtë mënyrë viti 2025 – që është vetëm tre vjet larg – mund të shohë një dinamikë të përtërirë në zhvillimin rajonal. Dhe ky duhet të jetë qëllimi i përbashkët.

KosovaPress: Në fund të verës së kaluar keni pasur një takim me kryeministrin Kurti, nëse mund të ndani me ne përvojën tuaj në takimin me z. Kurti lidhur me qëndrimin e tij në lidhje me Dialogun dhe “Ballkanin e Hapur”?

PETRITSCH: Nuk ka qenë takimi im i parë me z. Kurtin, të cilin e kam njohur që nga ditët e mia si i dërguar special i BE-së. Kam qenë gjithashtu aktiv për lirimin e tij nga burgu i Millosheviqit. Këtë herë kemi pasur një shkëmbim të mirë mendimesh. Kryeministri është plotësisht në rrjedha me zhvillimet ndërkombëtare që është parakusht i domosdoshëm për një kryetar të suksesshëm të Qeverisë. Ne trajtuam gjendjen e punëve në procesin e dialogut dhe folëm për situatën politike në përgjithësi. Kryeministri shtjelloi prioritetet e tij, duke përfshirë punësimin për të rinjtë dhe luftën kundër korrupsionit. Arrita ta informoja për situatën mjaft të trazuar politike në Austri, e cila ndonjëherë më kujton Ballkanin. Theksova faktin se një qeverisje e mirë është ajo që shtrin dorën tek pakicat dhe përpiqet të jetë gjithëpërfshirëse.

KosovaPress: Më kujtohet se në vitin 2018 në një intervistë patët paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme të BE-së, nëse jo fitore, do të jetë një avantazh shumë i madh për populistët e djathtë. Ju përmendët disa politikanë evropianë si z. Orban dhe disa të tjerë se janë miq shumë të mirë të Putinit, ndërsa keni paralajmëruar se ata do të kenë komisionerët e tyre në Komisionin e ardhshëm Evropian. A ka ndodhur kjo situatë dhe a ka ndikim Rusia për vendimmarrje në strukturat e Bashkimit Evropian?

PETRITSCH: Epo, kisha vetëm pjesërisht të drejtë. Por megjithatë, Orban apo Jansha nga Sllovenia ushtrojnë një ndikim të madh në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo nuk është gjithmonë e favorshme për një marrëdhënie më të mirë me Brukselin. Nganjëherë kam përshtypjen se edhe komisioneri hungarez i BE-së për zgjerim nganjëherë është më shumë hungarez se sa evropian.

Anëtarët e tjerë të BE-së si Franca, Holanda dhe Danimarka kanë mbetur skeptikë për një pranim të shpejtë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ata duan të shohin një fuqizim të sistemit liberal demokratik në BE, dhe jo të demokracisë jo liberale të Orbanit.

Rusia, por edhe Kina dhe Turqia, si dhe disa shtete arabe, luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Ata ndjekin rregulla shumë të ndryshme politike dhe ekonomike, të cilat janë në kontrast të fortë me traditën evropiane të demokracisë liberale. Shumica e anëtarëve të BE-së duan të shohin një fuqizim të modelit të saj demokratik të zërë rrënjë në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të ndihmonte patjetër për të zbutur shqetësimet e skeptikëve të zgjerimit.

KosovaPress: A prisni që gjatë këtij viti të ketë ndonjë progres në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

PETRITSCH: Po, besoj se në gjysmën e dytë të vitit 2022 do të shohim progres. Por që kjo të jetë e vërtetë, pres nga të gjitha palët një përpjekje serioze për të trajtuar me të vërtetë shumë çështje ende të pazgjidhura. Qëndrimi im është se zbatimi i Asociacionit për të cilin është rënë dakord do të konsiderohet si një përparim nga komuniteti ndërkombëtar.

KosovaPress: Pas katër javësh Kosova shënon 14 vjetorin e pavarësisë së saj. Ju lutemi na tregoni: cilat janë përshtypjet tuaja nga ky rrugëtim i Kosovës?

PETRITSCH: Kosova ka bërë një rrugë të gjatë. Ka kaluar një rrugë të vështirë dhe nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ndonjëherë janë bërë gabime, por në përgjithësi besoj se me përfundimin e suksesshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kosova do të hyjë në një fazë të re dhe vendimtare në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian.

/Ambasadori Wolfgang Petritsch është një diplomat i shquar evropian me përvojë të gjatë në të gjitha proceset për arritjen e paqes në Ballkan. Ai ishte i dërguari special i BE-së për Kosovën (1998-1999), kryenegociator i BE-së në bisedimet e paqes për Kosovën në Rambuje dhe Paris (1999), dhe më pas Përfaqësues i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinë (1999-2002). Ai shërbeu si ambasador austriak në OKB, në Gjenevë (2002-2008) dhe në OECD në Paris (2008-2013). Ai ishte anëtar i Joseph A. Schumpeter në Universitetin e Harvardit (2013-2014) dhe aktualisht shërben si President i Fondacionit Austriak të Planit Marshall/

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Profesionet që paguhen më së shumti në Maqedoninë e Veriut

Story i radhës

Test / Zgjidhni një personazh dhe zbuloni personalitetin tuaj të vërtetë

Të fundit nga

​Fushë Kosova me rrethinë mbesin pa rrymë

Komuna e Fushë Kosovës me rrethinë ka mbetur pa rrymë nga ora 12:00. Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT kjo komunë mbetet pa rrymë deri në orën 15:00. Sipas KOSTT,

Vit i ri, sulm i ri

Një qëllim për vitin e ri? E po, të ndryshojë. Sulmi i Milanit, mes Krishtlindjeve dhe Epifanisë, rrezikon një ristrukturim të rëndësishëm. Në ndeshjen e fundit të vitit, kundër Romës, Fonseca mund
ShkoLartë