Autoritetet kanadeze kanë njoftuar se po tërheqin familjet e diplomatëve të tyre në Kiev për shkak të vendosjes së ushtrisë ruse në kufirin me Ukrainën dhe një vendim të ngjashëm kanë marrë së fundmi edhe SHBA dhe Britania e Madhe.
“Kemi vendosur të tërheqim përkohësisht fëmijët e punonjësve të ambasadës kanadeze nën moshën 18-vjeç, si dhe anëtarët e tjerë të familjeve të tyre”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Kanadasë.
Autoritetet kanadeze përmendin dislokimin aktual ushtarak rus dhe aktivitetet destabilizuese në dhe rreth Ukrainës si arsye.
Autoritetet amerikane njoftuan të dielën se po tërheqin një numër diplomatësh me familjet e tyre dhe një vendim i ngjashëm u mor nga autoritetet britanike të hënën.
Rusia ka dislokuar dhjetëra mijëra trupa në kufijtë e Ukrainës muajt e fundit, duke shkaktuar frikën e pushtimit. Megjithëse Moska mohon ndonjë projekt të tillë, Kremlini këmbëngul në garanci me shkrim për sigurinë e tij, duke përfshirë një premtim se Kievi nuk do të anëtarësohet në NATO.
Forcat e armatosura të Rusisë nisën një seri të re manovrash pranë Ukrainës dhe në gadishullin e aneksuar të Krimesë në Detin e Zi të martën. Në stërvitje marrin pjesë rreth 6000 ushtarë, avionë luftarakë dhe bombardues.