IKSHPK ka dalë serish me thirrje për qytetarët e Kosovës në kohën kur numri i rasteve me koronavirus vazhdon të jetë i lartë.
Në një postim në Facebook, IKSHPK kërkon respektimin e masave antiCOVID-19 si mbajtja e maskës, ruajtja e distancës sociale, mbajtja e higjienës, shmangia e udhëtimeve, të qëndrohet në shtëpi dhe të ajrosen ambientet e mbyllura.
“Të gjitha të dhënat nga vendet tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pa vaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese. Andaj, vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin dhe rastet e rënda klinike”, thuhet në komunikatë.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, IKSHPK bën thirrje në veçanti për kujdes dhe mos grumbullim. Ndërsa, rekomandojnë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12-vjeçare”.