Një polic ka mbetur i vrarë mbrëmë rreth orës 23:00 në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik. I dyshuari për vrasje është ende në arrati.
Për vrasjen e policit ka reaguar edhe zv.ministri në detyrë i Mjedisit, Jeton Raka.
Raka në reagimin e tij ka shkruar se është i tronditur për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik.
“Kaçaniku humbi një zyrtar policor, një ish luftëtar të UÇK-së, që la pas një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar tutje që shpreson që organet e rendit të zbardhin sa më parë këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë.
Polici M.L u vra derisa ishte në hyrje të ndërtesës së tij, i dyshuari për vrasjen e tij gjendet ende në arrati.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha për median se ” ende nuk kanë të arrestuar”.
Më herët, Veseli ka konfirmuar se në vendin e ngjarjes kishin dalur të gjitha njësitet policore.
“Kemi pranuar një informacion se një person është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik. Në vendngjarje, përveç njësive policore, ka dalë edhe ekipi i emergjencës së Kaçanikut, të cilët e kanë transportuar në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik. Si pasojë e plagëve të marra, pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, kjo është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, ka deklaruar Veseli.
Shkaqet e plota të ngjarjes mbeten ende të panjohura.
Burimi: botasot.info