Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, së bashku me kryetarin e Komunës së Likovës, Erkan Arifi, kanë inspektuar nga afër punimet për rikonstruktimin e rrugës Sllupçan – Orizarë, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për këtë zonë.
Rruga, e cila ka një gjatësi prej rreth 3 kilometrash dhe gjerësi prej 5 metrash, nuk ishte rikonstruktuar që nga vitet 1998/99. Investimi i ri, me një vlerë prej 570.000 euro, po realizohet përmes thirrjes së parë të Qeverisë për komunat, me financim nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
“Ky projekt është një dëshmi konkrete se investimet publike po shkojnë aty ku ka më shumë nevojë – në infrastrukturën që ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve,” theksoi Zëvendësministrja Zekolli Shaqiri.
Ajo shtoi se puna do të vazhdojë me përkushtim për të ndërtuar më shumë, më mirë dhe më drejt, duke përmirësuar cilësinë e jetës për banorët e të gjitha rajoneve të vendit.