Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook ka uruar anëtarët e Sindikatës së policisë së Maqedonisë me rastin e shënimit të 30 vjetorit të themelimit.
Bushi gjithashtu ka shkruar se shënimi i 30 vjetorit të ekzistimit të Sindikatës së Policisë së Maqedonisë është një themel i fuqishëm për perspektivat e reja dhe arritjes së marrëveshjeve cilësore përmes të cilave do të përmirësojmë statusin profesional, social dhe ekonomik të të gjithë të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Gjatë periudhës së kaluar ne si udhëheqësi e MPB-së vazhdimisht kemi biseduar e bashkëpunuar me anëtarët e sindikatës së policisë për shumë çështje të cilat janë të rëndësishme dhe thelbësore me qëllim të realizimit të interesave tona të përbashkëta, përmirësimin dhe krijimin e kushteve sa më të mira të punës për të punësuarit tanë”, ka shkruar Bushi.
Sipas zv/ministrit Bushi vetëm përmes dialogut mund të arrihen zgjidhje të duhura dhe të pranueshme për të dyja palët dhe për këtë flet edhe nënshkrimi i marrëveshjes së re kolektive.
“Siguruam pagesën e 5 pagave mujore bonus dhe rritjen shtesë prej 5% të pagave për të gjithë të punësuarit që do të nis të zbatohet nga muaji shtator i këtij viti. Ne si udhëheqësi e Ministrisë së Brendshme do të vazhdojmë të mbetemi transparent dhe të gatshëm për të dëgjuar kërkesat e Sindikatës së Policisë dhe bashkë të gjejmë zgjidhjen më të mirë”, ka shkruar më tej zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi.