Një nga parakushtet kryesore për menaxhimin efikas të kufijve dhe migracionit është bashkëpunimi efektiv rajonal por edhe ai ndërkombëtar, para së gjithash me agjencitë e Bashkimit Evropian, siç janë Frontex, Europol, EASO, me Kombet e Bashkuara, dmth Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, UNHCR, si dhe organizatat ndërkombëtare relevante – OSBE, ICMPD, DCAF, dhe të tjera. Kështu është shprehur zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi gjatë Konferencës vjetore të ministrave të punëve të brendshme të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në kuadër të Dialogut të dytë të migracionit që po mbahet në Sarajevë.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga shumë asociacione dhe organizata ndërkombëtare si dhe përfaqësues të Komisionit Europian.
Zv/ministri Bushi gjithashtu ka theksuar se Maqedonia e Veriut merr pjesë në iniciativa dhe procese të shumta ndërkombëtare dhe rajonale, si Forumi i Salzburgut,Procesi i Budapestit, Procesi i Pragës, Platforma e Përbashkët Koordinative, Programi i Sigurisë Kufitare të Qendrës së Gjenevës për Menaxhimin e sektorit të sigurisë (DKAF), Konventa për Bashkëpunim Policor në Evropën Juglindore (CPS SEE).
“Një nga parakushtet kryesore për menaxhimin efektiv të migracionit ilegal dhe në përgjithësi të migracionit është forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar duke iu referuar mbi të gjitha ekzistencës së një mekanizmi efikas për kthimin, vullnetarisht dhe me forcë, në vendet e origjinës. Politikat e riatdhesimit dhe mekanizmat e kthimit janë të një rëndësie të veçantë për menaxhimin e suksesshëm të migracionit, por në të njëjtën kohë ato janë fusha ku përballemi me sfida serioze, veçanërisht në fushën e pamundësisë për të kthyer në mënyrë efektive disa prej emigrantëve ilegal në vendet e tyre të origjinës”, ka thënë zëvendësministri Bushi.
Fokusi kryesor tematik i konferencës ministrore të këtij viti të Dialogut të Dytë për Migracionin që po mbahet në Sarajevë ishin çështjet e kthimit dhe riatdhesimit të emigrantëve në vendet e origjinës, në mënyrë që të ndihmohet stimulimi i dialogut ndërmjet autoriteteve rajonale, Bashkimit Europian, Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të origjinës në përcaktimin e modaliteteve më të mira për t’u marrë me këto çështje.