Një Maqedoni e Veriut dhe një Shqipëri, të integruara në NATO dhe së shpejti edhe në Bashkimin Europian janë vizioni më i qartë për rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë. Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi sot pas përfundimit të mbledhjes së dytë ndërqeveritare midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e mbajtur në Shkup.
Ky është postimi i plotë i Bushit në faqen e tij zyrtare në facebook:
Kënaqësi që sot isha pjesë e një pritjeje vëllazërore për Kryeministrin Shqiptar Edi Rama në Shkup. Seanca e dytë ndërqeveritare midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë është forma më e mirë e mundshme e dëshmimit të fuqishëm të marrëdhënieve të afërta mes dy vendeve tona por edhe qytetarëve tanë në përgjithësi.
Një Maqedoni e Veriut dhe një Shqipëri, të integruara në NATO dhe së shpejti edhe në Bashkimin Europian janë vizioni më i qartë për rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Sot në seancën e dytë të përbashkët ndërqeveritare nënshkruam dy akte me të cilat dy vendet tona edhe njëherë konfirmuan bashkëpunimin intensiv dhe suksesin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Protokolli i parë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë ka të bëjë me implementimin e ONE STOP SHOP apo kryerjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare në vendkalimin kufitar Qafë Thanë. Me nënshkrimin e këtij Protokolli do të lehtësohet kalimi i udhëtarëve dhe do të shkurtohet koha e pritjes në këtë pikë kufitare.
Marrëveshja e dytë e nënshkruar sot midis dy qeverive tona ka të bëjë me formimin e ekipeve të përbashkëta të punës në fushën e sigurisë dhe ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, bashkëpunimi i drejtpërdrejtë ndërmjet dy forcave policore, pra ndërmjet ekipeve të punës që do të formohen, do të kontribuojë për një shkëmbim më efikas të informacionit, zbatimit të aktiviteteve të koordinuara, shqyrtimit të taktikave të përshtatshme dhe veprimeve të tjera që lidhen me krimet për të cilat hetimi është më se i nevojshëm dhe nevojitet veprim i koordinuar dhe i bashkërenduar.
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Republikës së Shqipërisë tashmë kanë një bashkëpunim të shkëlqyer dhe mjaftë të suksesshëm dypalësh, që është në nivel shumë të lartë profesional, strategjik dhe operacional.
Qëllimi i dy vendeve tona është që të ndërtojmë sa më tepër ura lidhëse mes nesh, të përmirësojmë infrastrukturën, ekonominë dhe të tejkalojmë sfidat bashkë. Dimri që po vjen do jetë i vështirë si rezultat i agresionit Rus mbi Ukrainën dhe pas krizës energjetike që ka kapluar mbarë botën. Bashkë do të kalojmë edhe këto vështirësi, përmes solidaritetit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Burimi:________