Zv/ministrat e Mbrojtjes të Türkiyes, Rusisë dhe Ukrainës, do të takohen më 5 maj në Istanbul

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, njoftoi për takimin e planifikuar të zv/ministrave të Mbrojtjes të Türkiyes, Rusisë dhe Ukrainës më 5 maj në Istanbul, në lidhje me marrëveshjen për transportin e grurit, raporton Anadolu.

Në korrik të vitit të kaluar, Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istambul për vazhdimin e eksporteve të grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi që u pezulluan pas fillimit të luftës ruso-ukrainase në shkurt 2022.

Gjithashtu në Istanbul u ngrit Qendra e Përbashkët Koordinuese, e cila do të mbikëqyr dërgesat nga përfaqësuesit e tre vendeve dhe OKB-së.

Akar po i përgjigjej pyetjeve në lidhje me “korridorin e grurit” të hapur me përpjekjet e Türkiyes për të eliminuar rrezikun e krizës ushqimore për shkak të luftës ruso-ukrainase.

Marrëveshja u zgjat me iniciativën e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa Akar tha se ai pati një takim dypalësh me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu në margjinat e takimit të mbajtur në Moskë me ministrat e mbrojtjes të Türkiyes, Rusisë, Sirisë dhe Iranit dhe krerët e shërbimeve të inteligjencës.

Ai rikujtoi se më 18 prill në Kayseri u takua me ministrin ukrainas të Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov.

“Diskutuam edhe për nismën e grurit. Në këtë kontekst, si rezultat i pranimit të propozimit tonë nga të dyja palët, është planifikuar që të premten në Istanbul të takohen zv/ministrat e Mbrojtjes të Türkiyes, Ukrainës dhe Rusisë. Në takim do të diskutohen disa çështje, veçanërisht iniciativat e grurit”, tha Akar.

Ai tha se shpreson që marrëveshja do të vazhdojë pa pengesa.

“Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për vendet që kanë nevojë, si dhe për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ne dëshirojmë ta zgjerojmë këtë nismë pa asnjë problem”, shtoi Akar.





Story i mëparshëm

Një problem sigurie me një shtesë WordPress ekspozon mbi 1 milionë përdorues

Story i radhës

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, ambasadorja Yuri Kim pret në takim një grup gazetarësh: Mos e nënvlerësoni rëndësinë e punës që bëni

Të fundit nga