Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka pritur sot në ambientet e Qeverisë një grup studentësh nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, nga Fakulteti i Shkencave Sociale, drejtimi Punë dhe Politikë Sociale, të shoqëruar nga profesoresha Imrane Morina.
Sali bëri të ditur se vizita u realizua në kuadër të ushtrimeve të lëndës së praktikës në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Kisha kënaqësinë që sot, në ambientet e Qeverisë, të mirëpres studentët e Universitetit ‘Nënë Tereza’, nga Fakulteti i Shkencave Sociale, drejtimi Punë dhe Politikë Sociale, së bashku me prof. Imrane Morinën, në kuadër të ushtrimeve të lëndës së praktikës në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Sali.
Ai theksoi se gjatë takimit është zhvilluar një diskutim i hapur me studentët për funksionimin e institucioneve dhe rolin e Qeverisë.
“Zhvilluam një bashkëbisedim të ngrohtë dhe frytdhënës, ku i informova më nga afër për funksionimin dhe rolin e Qeverisë”, u shpreh ai.
Sali nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes dhe mbështetjes së të rinjve, duke theksuar se ata përbëjnë të ardhmen e shoqërisë.
“Brezat e rinj janë e ardhmja jonë, dhe mbështetja e tyre mbetet një nga prioritetet tona kryesore”, ka theksuar zv/kryeministri i parë.
Burimi: alfax.mk


