Meta dhe Apple janë në një periudhë konkurrence të thellë dhe filozofike që do të përcaktojë të ardhmen e internetit tha CEO i Meta Mark Zuckerberg.
Të dy kompanitë, Apple dhe Meta, kanë planifikuar të investojnë në realitetin virtual dhe të shtuar në dekadën e ardhshme por kanë vizionet krejtësisht të kundërta sesi peizazhi AR/VR/XR do të ngjajë në të vërtetë.
Sipas një regjistrimi audio të Zuckerberg gjatë një takimi me punonjësit publikuar nga the Verge, ai ju përgjigj një punonjësi lidhur me të ardhmen e konkurrencës me Apple.
Komentet e tij hodhën dritë për mënyrën sesi e sheh këtë rivalitet.
“Mendoj se është e qartë që Apple ka për të qenë një rival për ne, jo si produkt por filozofikisht,” tha Zuckerberg. “Ne po i qasemi këtij rivaliteti në një mënyrë të hapur në përpjekje për të ndërtuar një ekosistem më të hapur.”
Ai theksoi se Meta ka bashkëthemeluar Metaverse Open Standards Group me kompani të tjera si Microsoft me qëllimin për të pasur një nivel ndërveprimi dhe portabiliteti asetesh mes hapësirave virtuale të njëri tjetrit. Apple nuk ju bashkua kësaj nisme dhe Zuckerberg shtoi se “Nuk përbën çudi aspak.”
Zuckerberg dhe CEO i Apple Tim Cook në të kaluarën kanë thënë se realiteti virtual, i shtuar ose i miksuar do të jenë platforma e ardhshme e madhe pas epokës desktop dhe mobile.
“Nuk mendoj se ardhmja e metaverse është shkruar ende,” tha Zuckerberg duke pranuar se nuk e di nëse strategjia e tij për mbarë kompaninë është e duhura.
Sipas analistëve, Apple po përgatitet për lançimin e pajisjes së parë të realitetit të miksuar, një pajisje hibride AR/VR e cila do të mbështetet në avancimet e fundit të dizajnit të çipeve të kompanisë.
Sakaq Meta është prej kohësh në këtë hapësirë me blerjen e Oculus dhe pajisjet shumë popullore Quest. /PCWorld Albanian