Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj në një intervistë për KosovaPress ka folur për rrjedhën e punimeve në Rrugën A, zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në kryeqytet dhe rreth kandidaturës së tij për deputet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.
Ai ka thënë se faza e parë e punimeve në Rrugën A në Prishtinë, të cilat kanë filluar tash e sa kohë, pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe se hapja e segmentit të rrugës nga Spitali Amerikan deri te barnatoret dhe lidhja me Rrugën B, synohet të realizohet gjatë këtyre muajve.
Zogaj: Deri në fund 2024 pritet përfundimi i fazës së parë të punimeve në Rrugën A
“Rruga A është interes shumë i madh i qytetarëve të Prishtinës…Ka pasur vonesa, probleme të vazhdueshme, ka pasur problem edhe me gjykatë. E dini ju, disa herë gjykata e ka ndaluar procesin e rrugës A, pastaj është kthyer prapë në ankesa tona. Është duke ecur tutje. Po tentojmë që në fund të këtij viti ta hapim fazën e parë, që nënkupton prej Spitalit Amerikan e deri te barnatoret dhe lidhja me rrugën B. Nëse arrijmë në fund të këtij viti ta hapim për qarkullim fazën e parë, kemi bërë një punë shumë të mirë. Pastaj vazhdojmë me fazën e dytë, e cila është faza që shkon prej Kalabrisë ose banesave të Arabëve e deri te hoteli “Garden”, atje te rruga që lidhet me Fushë Kosovën”, tha Zogaj.
Duke folur për hapjen e Qendrës për Trajtimin e Qenve Endacakë në periferi të Prishtinës, nënkryetari Zogaj potencon se qytetarët shumë shpejt do t’i shohin efektet e para të zgjidhjes së këtij problemi.
Zogaj: Qytetarët shpejt do t’i shohin efektet e para të largimit të qenve endacakë
“E para, kemi shpenzuar miliona euro në atë që quhet ‘Kap, sterilizo, vaksino dhe lësho qenin prapë në vendin ku e kemi marrë’. Kemi shpenzuar shumë në vaksinim dhe sterilizim. Tash po e hapim shumë shpejt, veçse ka filluar të punojnë dhe është hapur strehimorja dhe qendra për vaksinim e sterilizim. Do të fillojmë prej këtij muaji t’i marrim qentë prej qendrës së qytetit fillimisht dhe t’i dërgojmë në strehimoren e madhe në periferi të Prishtinës…Një qendër me nivele evropiane të cilësisë. Qytetarët shpejt do t’i shohin efektet e para që qentë endacakë do të hiqen prej rrugëve të Prishtinës…Është rritur interesimi dhe shpenzojmë që qendra kur i sterilizon dhe vaksinon qentë endacakë, do të ketë interesim edhe më të madh prej familjeve të vijnë t’i marrin. Deri më tani disa qindra janë adaptuar“, tha Zogaj.
Ai ka bërë të ditur se dega e LDK-së në Prishtinë e ka propozuar atë si kandidat për deputet nga radhët e kësaj partie për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Zogaj: Besoj se do të kandidoj për deputet
“Dega, ku unë kryej aktivitetin tim politik edhe ku jam kryetar i njërës prej degëve të LDK-së në Prishtinë, më ka propozuar për kandidat për deputet dhe besoj shumë që do të jem kandidat për deputet, meqenëse edhe ka shkuar propozimi im. Por, listat finale dhe kandidaturat dalin sipas afateve që i ka caktuar edhe KQZ-ja”, tregon Zogaj.