Një banesë është djegur nga flakët e zjarrit sot në Hoxhar i Vjetër në Fier.
Shkak i zjarrit dyshohet të jetë bërë një bombol gazi që përdorej për gatim.
Fatmirësisht, 33-vjeçari që ndodhej brenda banesës ka shpëtuar pa lëndime.
Sipas banorëve të zonës, Redjan Llambro, i cili vuan nga epilepsia, në momentin që ka ndezur bombolën e gazit për të gatuar, ka pësuar një krizë epileptike dhe ka humbur kontrollin.
Gjatë kësaj kohe ka rrëzuar edhe bombolën, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në orenditë dhe ambientet e banesës.
Në banesë jetonin Redjan Llambro së bashku me nënën e tij, e cila në momentin e rënies së zjarrit nuk ndodhej në shtëpi.
Përveç dëmeve të mëdha materiale, familja tashmë përballet edhe me humbjen e të gjitha orendive dhe pajisjeve shtëpiake.
Të afërmit dhe fqinjët e familjes Llambro bëjnë apel për ndihmë dhe solidaritet.
Burimi: botasot.info


