Zingraf: Hezitimi i investitorëve gjermanë jo vetëm nga COVID-19, ka arsye strukturore

min lexim

Është e vërtetë që COVID-19 ndryshoi planet e biznesit të zgjerimit për shumë investitorë, por pandemia nuk mund të jetë arsyeja e vetme pse ata nuk kanë ardhur në Shqipëri në dy vitet e fundit.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, shprehet se përpos pandemisë mund të ketë edhe disa arsye strukturore që investitorët gjermanë kanë qenë jo dhe aq të pranishëm në vendin tonë, dhe këto lidhen me qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e politikave fiskale, zbatimin e ligjit për transparencën e prokurimeve publike, apo garantimin e një tregu konkurrues për të gjithë aktorët.

Zingraf shprehet se këto janë përshtypje që sipërmarrjet i raportojnë dhe sipas tij, është mirë që dhomat e biznesit të dëgjohen për problemet që ngrenë.

Gjermania ka pasur një angazhim të vazhdueshëm me projekte në Shqipëri nëse u referohemi disa sektorëve specifikë me projekte konkrete. Si paraqitet ky angazhim aktualisht?

Programet e qeverisë sonë po vazhdojnë. Për shembull, KfW ka mbështetur qeverinë shqiptare në reformën e sektorit të energjisë, duke dhënë kredi në bazë të politikave.

Transhi i parë është paguar vitin e shkuar dhe transhi i dytë do të vijë kur të arrihen objektivat. Po mbështesim reformën në këtë sektor, por kemi një fokus të gjerë edhe tek ekonomia lokale që edhe kjo po vijon.

Po nëse flasim për angazhim të kompanive private gjermane për të investuar në Shqipëri?

Duhet të nis me anën tjetër. Kur kompanitë vijnë në ambasadë është për problemet. Është një shenjë e mirë kur kompanitë nuk vijnë në ambasadë dhe vijojnë me projektet. Kjo ndodh shumë shpesh, por zakonisht shumë prej tyre vijnë tek ne si informatorë për projektet e tyre. Kompanitë në disa raste e bëjnë kërkimin vetë dhe në të tjera, jemi ne që i këshillojmë.

Konkretisht ka disa zhvillime në energji, veçanërisht ajo nga dielli dhe në sektorin e IT. Mund të them se ka projekte që janë në zhvillim, por nuk janë finalizuar. Pra kemi komunikim dhe shpresojmë që do të dalim nga “pushimi” i COVID-19, i cili ishte i gjatë dhe nuk pati shumë lëvizje.

Meqë jemi tek COVID-19. Dy vitet e pandemisë nuk kemi parë shumë investitorë. A mendoni se pandemia ishte e vetmja arsye që nuk pamë shumë biznese gjermane në vendin tonë apo mund të ketë edhe ndonjë arsye tjetër?

M’u duk se gjatë COVID-19 kishte një pushim në projekte dhe investime, por kam frikë se ka edhe disa arsye strukturore. Gjithmonë kur flas me qeverinë i përmend edhe fqinjët si Maqedonia e Veriut, që është në të njëjtën madhësi apo më e vogël, por ia ka dalë të tërheqë më shumë investime të huaja direkte gjermane. Në këto kushte, mund të pyesësh cilat janë arsyet?

Mund të jenë disa arsye strukturore dhe këshilla ime është që të dëgjoni çfarë thonë dhomat e tregtisë dhe kompanitë. Ka dhe disa fusha si politika fiskale, që duhet të jenë të qëndrueshme dhe të parashikueshme, zbatimi i ligjit, vazhdimi i reformës në drejtësi.

Edhe fusha të tjera si prokurimet publike transparente, apo garantimi i konkurrencës reale në treg, ku nuk lejohen monopolet apo oligopolet, siç e dëgjoj nga kompanitë dhe sipërmarrësit. Ndaj mendoj se qeveria duhet t’i dëgjojë ato që vijnë nga kompanitë.

Cilët janë disa nga sektorët që i konsideroni si potencialë ku mund të investohet?

Shoh interes në sektorin e energjisë dhe veçanërisht në atë diellore. Ka edhe ide për teknologji të reja dhe më të leverdishme, që shohin kombinimin e energjisë diellore me agrikulturën në të njëjtin vend.

E di që toka ka shumë rëndësi, pasi Shqipëria ka sipërfaqe të vogël dhe pjesa e sheshtë është edhe më e vogël, ndaj ka shumë konkurrencë, por ndoshta kombinimi i të dyjave mund të ishte më interesante.

Edhe sektori i IT mund të ishte interesant. Këto janë dy fusha që ne po mbështesim dhe me projekte nga qeveria gjermane. Këtu sjell në vëmendje dhe projektin për transportin urban në Tiranë. Ndaj mund të jepte një mundësi për kompanitë private për të ardhur.

Ne pamë një landfill të mbështetur nga qeveria gjermane në zonën e Maliqit, si një model të mirë të menaxhimit të mbetjeve. Shqipëria, nga ana tjetër, ka zgjedhur një tjetër rrugë, duke ndërtuar tre inceneratorë. Si është në fakt koncepti i menaxhimit të mbetjeve kur u referohemi standardeve të Bashkimit Europian?

Menaxhimi i mbetjeve ka nevojë për një koncept holistik, që nis me qytetarët dhe me shmangien e mbetjeve, ndarjen e tyre dhe më pas me pakësimin e sasisë finale të mbetjeve që duhet të depozitohet apo digjet në minimum.

Ky është fillimi. Më pas duhet të bësh llogaritë se cila është sasia dhe përbërja e kësaj sasie mbetjesh dhe cila është procedura më e mirë për ta bërë këtë. Këtu, në këtë rajon, kanë ardhur në konkluzionin që është më mirë të ndërtojnë një landfill të standardizuar dhe të sigurt.

Nëse ka volume më të mëdha mund të vish në konkluzionin që mund të kesh nevojë për një incenerator. Këta të fundit, në këtë koncept holistik, duhet të vijnë në fund, pasi janë shumë të shtrenjtë për t’u ndërtuar dhe shumë të shtrenjtë për t’u operuar ndaj duhet të bëhesh gati për këtë. 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

“Sa e ke pagën?”: Mëso si të përgjigjesh nëse nuk dëshiron të tregosh

Story i radhës

Kriset marrëdhënia, Fifi reagon ashpër pas skeçit të vëllezërve Veshaj: Përgatituni për gjyqin!

Të fundit nga