Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, gjatë një takimi të mbajtur mbrëmë në Haraçinë, ka thënë se Aleanca për Shqiptarët do të jetë këtu si subjekt, por edhe si pjesë e Frontit Europian dersa sulmohen të drejtat dhe arritjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai shtou se vendimet e fundit kundër përkatësisë etnike dhe kundër gjuhës shqipe, nuk bëhen nga Gjykata Kushtetuese, por nga vetë Qeveria e drejtuar nga VMRO-DPMNE. Përderisa ndodh kjo, Sela tha se ASH do të vazhdojë betejën në kuadër të Frontit, ndërsa ftou edhe subjektet e tjera shqiptare, duke shtuar se është koha për unifikim të shqiptarëve si formë e vetme për ta ndalur zullumin e Qeverisë kundër shqiptarëve. Relativizimi i veprimeve të Qeverisë është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet kësaj Qeverie kundër shqiptarëve, shtou mes tjerash kryetari i ASH, Ziadin Sela.
“Aleanca për Shqiptarët do të jetë, edhe Fronti Europian do të ekzistojë për sa kohë që ka tendenca që të na godasin atë që është më e shenjtë, kjo Qeveri dhe jo Gjykata Kushtetuese. Mashtrojnë ato që thonë se Gjykata Kushtetuese është ajo që e zhvlerësoj Balansuesin, s’është e vërtetë. Na kanë marë të drejtën që të shkruhen fëmijët tanë në përkatësinë etnike të prindërve të tyre dhe kjo duhet biseduar dhe thënë në opinion. Na kanë marë të drejtën që ne të paraqesim përkatësinë tonë etnike në momentin që do të paraqitemi përpara organeve dhe institucioneve dhe që shteti duhet të na garantojë vendet e punës neve si popull këtu edhe si taksapagues sepse nuk i marrin paratë diku tjetër, ne vetë i paguajmë. Mundohen që tani po me të njëjtin institucion, me Gjykatën Kushtetuese të na heqin të drejtën e përdorimit të gjuhës në shumë subjekte të rëndësishme duke e gëlltitur gjuhën shqipe. E pra për sa kohë që hiqen të drejtat e shqiptarëve, nuk avancohen shqiptarët, Aleanca për Shqiptarët do të jetë në Frontim Europian dhe do të mundohet jo vetëm me eksponentët e Frontit, por edhe ata që janë në Qeveru që janë jashtë Frontit Europian, të bëhen bashkë se tanimë e vetmja formë për t’i thënë stop zullumit është bashkimi i gjithë shqiptarëve. Ta dini që kur sulmohet gjuha shqipe nuk sulmohet gjuha e këtij apo atij subjekti politik, por sulmohet gjuha e gjithë shqiptarëve. Kur sulmohet përkatësia etnike, nuk sulmohet përkatësia etnike dhe identiteti etnik i këtij apo atij subjekti, por sulmohet identiteti i gjithë shqiptarëve, pa marë parasyshë përkatësinë politike dhe subjekteve politike në të cilat ne gravitojmë. Prandaj, është koha të bëjmë një unifikim. Fatkeqësisht këto oponentët tanë politik të cilët duke shkelur mbi legjitimitetin vrapuan për tu bërë pjesë e Qeverisë e bëjnë shërbimin më të keq të mundshëm VMRO-DPMNE-së. Cili është ai shërbim? Duke relativizuar gjithçka dhe secilin veprim politik të cilin e bën VMRO-DPMNE-ja”, tha Sela para banorëve të Haraçinës.