Zhvilluan gara në autostradë dhe goditën për vdekje tre persona, aktakuzë ndaj dy të dyshuarve në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.S., dhe I.H., të cilët gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit A.S dhe I.H më datë 16.12.2023 rreth orës 22:30, në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, saktësisht në kilometrin e 15 të saj nga aksi rrugor “Prizren-Veri” në drejtim të aksit rrugor “Prizren Jug” ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, në bashkëkryerje veprojnë në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që i pandehuri i parë, A.S me automjetin A rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, derisa i pandehuri i dytë, I.H me automjetin B rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës.

“…. Duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre, me një shpejtësi dukshëm më të madhe në raport me shpejtësinë e lejuar, i akuzuari i parë humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin C, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës, gjegjësisht viktimat: N.B., M.D., dhe L.S., dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarve: M.Z., dhe B.P., si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

BE-ja ndan 1 miliard dollarë ndihmë për Libanin

Story i radhës

Zanetti: Lautaro dhe Barella me ne, nuk ka dyshim që do të rinovojnë

Të fundit nga