BDI dje shpalli ditë zie për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Balancuesit. Partia e cila konsiderohet fajtore kryesore që kemi një epilog negativ me fatin e mekanizmit për përfaqësim adekuat (pra Balancuesit), me mjeshtri diti të prezantojë veten si gardiane e saj dhe të krijojë një eufori kundër pushtetit në orët e errëta të pasdites, që u bëri përshtypje shumë qytetarëve.
Por krijimi i kësaj euforie nuk është edhe aq rezultat i mjeshtërisë së BDI-së, sa që erdhi në shprehja dobësia e PR-it të VLEN-it, që i krijoi komoditet të tillë partisë më të madhe opozitare.
Dobësia e parë e PR-it të VLEN-it ishte që nuk diti ta sqarojë para opinionit atë që thuhet qartë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese: se Balancuesi nuk u shfuqizua dje, por në fakt është shfuqizuar në muajin shkurt, kur e njëjta Gjykatë ka sjellur vendim për shfuqizim të dispozitës ligjore të Ligjit për evidencën amë. Gjykata Kushtetuese tani vetëm ka sjellur një vendim, që e bazon në vendimin e muajit shkurt, kur kishim qeveri me përbërje tjetër. Domethënë, nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese na u varkan nga fuqia dhe pafuqia partive në pushtet, atëherë logjikisht parashtrohet pyetja se pse nuk erdhi në shprehje fuqia e BDI-së në muajin shkurt (kur ishin në pushtet) për të parandaluar një vendim i cili pas 8 muajve do të shërben bazë për shfuqizim të një dispozite tjetër ligjore, respektivisht balancuesit. Opinionit me siguri i kujtohet se përveç reagimeve të ministrit të atëhershëm të drejtësisë, Krenar Lloga, nuk kishim ndonjë reagim tjetër më të fuqishëm nga shqiptarët e pushtetit.
Asokohe as që bëhej fjalë për ndonjë përpjekje më serioze për të penguar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që dorën në zemër, teorikisht është edhe e pamundur të bëhet, por mund të shfrytëzohet për fitimin e pikëve politike, kur PR-i i partive konkurrente tregon dobësi! është shumë e thjeshtë dhe nuk ka fare filozofi: nëse BDI arrin ta shfuqizon vendimin e Gjykatës Kushtetuese të sjellur në kohën e saj në pushtet, atëherë edhe VLEN-i do të shfuqizon vendimin e djeshëm! është me të vërtetë dështimi i një PR-i partiak apo koalicionues që nuk din ta sqarojë një gjë kaq të thjeshtë!
Prej nga ky konstatim?
Po a ka situatë më qesharake se kur atë që nuk e bën PR-i i VLENIT, e përmirëson deri diku ministri i ZNAM-it, Goran Minçev, duke shpalosur fakte që tregojnë se vetë zyrtarë të lartë të BDI-së (ish ministri Bekteshi), kanë shprehur rezerva ndaj Balansuesit.
Ku ishte PR-i i VLEN-it të risjellë deklaratën e kryetarit të BDI-së të dhënë para zgjedhjeve, më 25 mars të këtij viti, ku thotë se kushti i kryetarit të opozitës së atëhershme maqedonase, Hristijan Mickoski, për heqjen e balancuesit, “s’qenka kusht shumë i fortë”. (https://alsat.mk/ahmeti-pa-qendrim-te-prere-per-balancuesin-sqenka-kusht-shume-i-forte/). Mjaftonte këto dy momente të prezantonte PR-i i VLEN-it dhe debati do të mbyllej.
Të jemi të qartë, debati për balansuesin dhe përfaqësimin adekuat duhet të vazhdon dhe të intensifikohet që të mos krijohet vakum më afatgjatë. Por, duke numëruar dy argumentet që i përmendëm më lart, BDI-së do t’i mbyllej dera për të përfituar nga ky debat, jo për diçka tjetër, por për shkak se është e dëmshme “stafetën” e debatit për një çështje të rëndësishme ta marrin ata që më së shumti e kanë dëmtuar atë çështje, në rastin konkret balancuesin.
Një reagim i tillë jo që nuk ndodhi, por si pasojë e dobësisë së treguar nga PR-i i VLEN-it, në situatë të palakmueshme u gjetën edhe liderët e këtij koalicioni, të cilët u përgjigjen një nga një akuzave dhe vlerësimeve të zëdhënësit të BDI-së. Paramendoni çfarë dështimi është kur deklaratave të një zëdhënësi partiak, duhet t’i përgjigjen kryetarët e partive! Ky duhet të jetë një mësim se nuk bëhet PR me kuadro të cilat nuk janë në rrjedha me kontinuitetin pak më afatgjatë të zhvillimeve politike, por mendojnë se politika ka filluar prej ditës që ata kanë ardhur në pushtet. Edhe më pak mund të bëhet PR me njerëz të cilët këtë profesion e kuptojnë si vend pune me orar deri në ora 16, sa për të shkruar kumtesa në stilin “tha i pari, shtoi i dyti, përfundoi i treti…”. Aq me pak me njerëz të cilët kanë dëshirë të shfrytëzojnë pushtetin e tanishëm, por mundohen të lënë një “kapinxhik” të hapur, për të ndryshuar “dresin” në rast nevoje nëse opozita e sotme nesër vjen në pushtet. PR-i bëhet me kuadro që përveç përgatitjes profesionale, kanë edhe besim në platformën dhe programin e partisë së të tyre dhe janë të gatshëm të bëjnë këtë punë pa marë parasysh ku është sot partia e tyre, e ku do të jetë nesër (në pushtet, apo në opozitë).
Krejt kjo krijon përshtypje nuk u morën ndërkohë parasysh vërejtjet e ekspertëve zgjedhorë, të cilët thonin se VLEN-i nuk mori mësimin e duhur nga zgjedhjet e fundit kur për shkak të PR-it joadekuat, nga favorit absolut (falë përkrahjes nga Vetëvendosja), erdhi në situatë që ngecjen prapa BDI-së ta arsyeton me votat e turqve, romëve, boshnjakëve, e torbeshëve.
Zgjedhjet lokale nuk janë aq larg, prandaj tani është koha që të merret ky mësim.
E krejt në fund si epilog, do t’i kthehemi sërish fillimit të teksti: I papranueshëm është konstatimi i BDI-së se dje ishte ditë zie dhe për këtë fajin e ka VLEN-i. Nga ana tjetër duket mjaftë i saktë komenti i një simpatizanti të koalicionit shqiptar në pushtet, se duhet mbajtur një minutë heshtje për PR-in e VLEN-it sepse pësoi disfatë në një duel me PR-in e BDI-së edhe pse kishte përparësi të madhe dhe argumente të qarta në anën e vet!
BURIMI: Zhurnal