Zgjedhjet vendore në Shqipëri, voton presidenti Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka votuar për zgjedhjet vendore në një nga qendrat e votimit në Tiranë, raporton Anadolu.

Presidenti Begaj, së bashku me bashkëshorten e tij Armanda Begaj ka votuar në qendrën e votimit të vendosur në ambientet e Shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës”

Në një deklaratë për mediat pas votimit, Begaj tha se sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë.

“Unë sot ushtrova detyrën time si qytetar. Natyrisht që çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë me të drejtë vote sot ka drejtën që mund të dëgjohet, që vota e tij të lexohet, fuqia dhe pushteti i votës së tij të bëjë ndryshim. Këto votime nuk janë të partive politike, janë të qytetarëve dhe duhet t’u shërbejnë qytetarëve”, tha Begaj.

Në Shqipëri sot po mbahen zgjedhjet vendore, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin kryetarët e rinj të bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë në gjithë vendin.

Të drejtën e votës e kanë 3.650.550 shtetas shqiptarë, ndërkohë 122.545 zgjedhës do të kenë mundësi të votojnë për herë të parë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ), për zgjedhjet vendore janë regjistruar si subjekte zgjedhore 44 parti politike, nga të cilat 38 parti jashtë koalicioneve, 6 parti të grupuara në dy koalicione dhe 12 kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri zhvillohen për të zgjedhur 61 kryetarë të bashkive dhe 1.603 anëtarë të këshillave bashkiakë në gjithë vendin. Kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë për një periudhë 4-vjeçare.





Story i mëparshëm

Zelenskyy mbërrin në Berlin, fillon vizitën zyrtare

Story i radhës

Voton Edi Rama: Uroj që situata e krijuar nga KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin e votuesve

Të fundit nga