Zgjedhjet vendore në Shqipëri, voton kryeministri Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, votoi për zgjedhjet vendore në qendrën e votimit të fshatit Surrel në Qarkun e Tiranës, raporton Anadolu.

Kryeministri Rama së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama, kanë votuar në qendrën e votimit të vendosur në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar Surrel.

Në një deklaratë për mediat pas votimit, Rama theksoi se tani është momenti i të gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre.

Duke iu referuar vonesave në disa qendra të votimit për shkak të problemeve të pajisjeve të identifikimit elektronik, Rama tha: “Uroj shumë që situata e krijuar nga KQZ-ja (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve) të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë që në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat dhe që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar në momentin e parë, të rikthehen në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë në të gjithë territorin e Shqipërisë”.

Ndërkohë, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka votuar në qendrën e votimit të vendosur në ambientet e Shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, në Njësinë Administrative numër 1 në Tiranë.

Zgjedhjet vendore në Shqipëri

Në Shqipëri sot po mbahen zgjedhjet vendore, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin kryetarët e rinj të bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë në gjithë vendin.

Të drejtën e votës e kanë 3.650.550 shtetas shqiptarë, ndërkohë 122.545 zgjedhës do të kenë mundësi të votojnë për herë të parë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ), për zgjedhjet vendore janë regjistruar si subjekte zgjedhore 44 parti politike, nga të cilat 38 parti jashtë koalicioneve, 6 parti të grupuara në dy koalicione dhe 12 kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri zhvillohen për të zgjedhur 61 kryetarë të bashkive dhe 1.603 anëtarë të këshillave bashkiakë në gjithë vendin. Kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë për një periudhë 4-vjeçare.





Story i mëparshëm

Derbi i Anamoravës

Story i radhës

Ndodh edhe kjo/ Protestë në ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, banorët e këtij fshati bojkotojnë votimet

Të fundit nga