Ish-Presidenti Donald Trump mori një fitore të rëndësishme në Karolinën e Jugut, ku kandidati i tij i preferuar fitoi me lehtësi përballë Ligjvënësit Tom Rice, i cili bëhet kështu republikani i parë që humbet postin, pasi votoi në favor të ngritjes së akuzave për shkarkimin e ish-presidentit vitin e kaluar. Megjithatë, një tjetër zyrtare republikane që është vënë në epiqendër të sulmeve nga ish-Presidenti Trump në këtë shtet, Ligjvënësja Nancy Mace, arriti të triumfojë përballë rivales së saj.
Ndërkaq në Nevada, i përzgjedhuri i ish-Presidentit Trump, Adam Laxalt, fitoi zgjedhjet paraprake për në Senat, duke mundur një kandidat populist që do të shërbente ndoshta më qartazi si përfaqësues i mbështetësve të ish-Presidentit Trump.
Le t’i hedhim në vazhdim një vështrim më të hollësishëm rezultateve nga raundi i parë i zgjedhjeve paraprake.
Verdikt i ndarë në Karolinën e Jugut
Ligjvënësit Rice dhe Mace janë bërë objekt i zemërimit të ish-Presidentit Trump, që kur turma me mbështetësit e tij hyri me forcë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara për të ndalur çertifikimin e fitores së demokratit Joe Biden.
Cili ishte gabimi i tyre? Ligjvënësja Mace deklaroi në një televizion kombëtar se me sulmin ndaj Kapitolit “u fshi e gjithë trashëgimia” e ish-Presidentit Trump, dhe Ligjëvënësi Rice iu bashkua një grupi të vogël republikanësh që votuan së bashku me demokratët në favor të një hetimi të dytë për ngritje akuzash për shkarkimin e zotit Trump.
“Ai pati një shpërthim emocional që kulmoi me përdhosjen e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara”, i tha Ligjvënësi Rice kanalit NBC ditën e hënë. “Është një sulm i drejtpërdrejt ndaj Kushtetutës, dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi”.
Votuesit dhanë përfundimisht gjykime të ndryshme për ligjvënësit, duke reflektuar kështu një ndasi në radhët e Partisë Republikane për mënyrën se si duhet të veprohet në të ardhmen e pas epokës Trump. Zona elektorale kryesisht rurale e zotit Rice mishëron “Amerikën e Trump-it”, ku të kundërshtosh ish-presidentin mbart kosto të madhe. Edhe ndërsa i sulmonte të dy ligjvënësit, ish-Presidenti Trump zgjodhi ta zhvillonte tubimin në zonën e zotit Rice.
Kjo për shkak se zona e zonjës Mace, me epiqendër qytetin Charleston, përbëhet nga shumë votues të moderuar që iu larguan Partisë Republikane nën drejtimin e zotit Trump. Është një nga zonat e pakta elektorale të ndodhura në shtete përgjithësisht republikane, ku demokratët kanë arritur të bëjnë një konkurrim modest gjatë garave për në Kongres.
Nancy Mace duke folur me mbështetësit pas fitores (14 qershor 2022, Mount Pleasant, Karolina e Jugut)
Rezultatet reflektojnë se faktori Trump nuk mund të nënvlerësohet në territore të konsoliduara republikane – ndoshta një shenjë paralajmërimi kjo për republikanët e tjerë, përshirë Ligjvënësen Liz Cheney nga Uajoming, e cila votoi në favor të procesit për shkarkimin e ish-Presidentit Trump dhe po ndihmon në drejtimin e hetimeve të Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin e 6 janarit. Ajo do të përballet në muajin gusht me një sfidë të fortë gjatë zgjedhjeve paraprake përballë një sfidanteje të mbështetur nga ish-Presidenti Trump.
Një tjetër faktor në garën e Ligjvënëses Mace ishte se gara u shndërrua në një betejë midis ish-Presidentit Trump, i cili është duke shqyrtuar mundësinë e kandidimit për president në vitin 2024, dhe ish-Ambasadores në OKB, Nikki Haley, e cila gjithashtu po shqyrton mundësinë për të kandiduar.
Ish-Presidenti Trump mbështeti Ligjvënësen Katie Arrington, ndërsa zonja Haley, dikur edhe guvernatore në Karolinën e Jugut, praktikisht e sfidoi ish-presidentin duke bërë fushatë për zonjën Mace.
Trump, McConnell, së bashku në favor të kandidatit në Nevada
Ish-Presidenti Trump dhe kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, nuk bien shpesh dakort. Një përjashtim është rasti i Adam Laxalt-it, i cili fitoi zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në Nevada për të kandiduar për në Senat.
Dy udhëheqësit republikanë nuk kanë qenë interlokutorë që nga dhjetori 2020, kur Senatori McConnell pranoi se zoti Biden mundi zotin Trump. Por, ata së bashku e mbështetën zotin Laxalt, i cili fitoi përballë një ushtaraku në pension, Kapitenit Sam Brown, i diplomuar në akademinë ushtarake West Point dhe marrës i medaljes “Zemra e Purpurtë”, dhe i cili zhvilloi një fushatë të fortë të papritur si kandidat i jashtëm.
Mbështetja e ndërsjellë, që bashkoi krahun e ish-Presidentit Trump me atë tradicional të partisë, demonstron vëmendjen intensive që republikanët i kanë kushtuar fitores përballë Senatores demokrate të zgjedhur për herë të parë Catherine Cortez Masto, e cila konsiderohet ndër senatorët më të rrezikuar në zgjedhje.
Ndryshimi i ligjvënësit në Teksas
Një zonë dikur e sigurt demokrate në Teksasin jugor, do të përfaqësohet tashmë nga një republikane. Mayra Flores fitoi zgjedhjet e posaçme paraprake duke i dhënë kështu fund mandatit të ish-Ligjvënësit demokrat Filemon Vela, i cili dha dorëheqjen për të punuar në fushën e lobimit.
Mayra Flores
Zonja Flores, një organizatore republikane, vajzë punëtorësh emigrantë, do ta mbajë këtë post për vetëm disa muaj përpara se kjo zonë elektorale të rihartohet duke i ofruar më shumë shanse demokratëve. Por, fitorja e saj në Luginën Rio Grande, me popullsi të dendur hispanike, është një shenjë jo e mirë për demokratët.
Fitorja e saj ka edhe pasoja për ambiciet e demokratëve në Kongres, duke ia vështirësuar Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi që të kalojë legjislacion të ri.
Nga Karolina e Jugut për në Shtëpinë e Bardhë?
Po në Karolinën e Jugut, republikani Tim Scott pati të martën një fitore të lehtë dhe pa rivalë në zgjedhjet paraprake për një mandat në Senat, që ai thotë se do të jetë mandati i tij i fundit.
Tim Scott
Një tjetër shtet që duhet patur në vëmendje është Ajova, ku politikanët ambiciozë shkojnë për të zhvilluar aktivitete. Zoti Scott, i vetmi senator republikan afrikano-amerikan, ka bërë atje disa vizita, e fundit gjatë javës së kaluar. Ai ka mbledhur fonde prej 42 milionë dollarësh, mbi dyfishin e duhur mesatarisht për të zhvilluar një fushatë për në Senat. Këto fonde mjaftojnë madje edhe për të nisur një fushatë presidenciale në vitin 2024. Ai ka rritur profilin e tij politik dhe mbajti fjalimin e Partisë Republikane në përgjigje të fjalimit të parë të Presidentit Joe Biden gjatë seancës së bashkuar të Kongresit.
Garat për guvernatorë
Megjithëse garat për guvernatorë përgjithësisht nuk marrin vëmendje të madhe, ato do të zhvillohen të forta këtë vit në shtete si Mein, Xhorxhia, Pensilvani, Miçigan, Uiskonsin dhe Arizona. Në shtete si Nju Inglënd, do të testohet ndikimi i kandidatëve të mbështetur nga ish-Presidenti Trump. Për t’i paraprirë, Shoqata e Guvernatorëve Demokratë ka blerë që tani kohë reklamash televizive me vlerë rreth 5 milionë dollarë./VOA