Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ishte në Njësinë në vijim të turit informues për zgjedhjet e brendshme të partisë, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj.
Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se vendi ka humbur shumë kohë me Sali Berishën dhe Ilir Metën, “të cilët kërkojnë vetëm konflikt, si t’i vënë njerëzit kundër njëri-tjetrit”.
Duke iu referuar zgjedhjeve në parti, Veliaj tha se PS duhet marrë si shembull.
“Sido që të shkojë procesi, skena si ato të 8 janarit në PD, me vare, qysqi, me kokëdash, me gaz, me shkallë e me blinda, nuk ka në PS. Ne jemi tjetër parti. Njerëzit pyesin kur bëhen zgjedhjet në PS sepse thonë këta nuk janë si ata që desh dogjën njëri-tjetrin të gjallë. Çfarë do bëjnë ata për familjet tona?! Ata desh vranë familjen e tyre. Por, s’është habi, se i njihnim, ata kanë bërë edhe 21 janarin, edhe ‘97, edhe’98! E njohim shumë mirë edhe Ilir Metën, edhe Saliun, e gjithçka që përfaqëson ajo lloj kategorie”, vijoi Veliaj.
Veliaj tha se Njësia 5, në këto 7 vjet, ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.
“Mendoj për Kopshtin Zoologjik dhe më kujtohet kë kemi përballë. Jemi ende duke bërë betejë me ata që i gjuajnë tigrit me gurë. Po ta shohësh, ata kështu i gjuajnë partisë së tyre, siç i gjuajnë tigrit. Kurse ne vetëm kemi investuar në Njësinë 5. Shikojeni sa është rritur vlera e pronës rreth Kopshtit Zoologjik! Halli më i madh për kundërshtarët tanë është a ka dhëmbë tigri. E kuptoni çfarë mentalitetesh jemi? PS-ja është parti që bën shtet, që bën qytet, që modernizon. Ambicia jonë, tani që i kthyem në pronësi të bashkisë edhe pishinat te Diga e Liqenit, është si t’ia kthejmë lavdinë e dikurshme në Njësinë 5. Pasi të mbyllen proceset për Kopshtin Botanik, do ta transformojmë si Kopshtin Zoologjik, të hapur për qytetarët. Por të gjitha këto rrisin vlerën e njësisë. Kjo është arsyeja pse PS vijon të rritet”, u shpreh Veliaj.
Ministrja Ibrahimaj tha se kjo është koha e duhur për riorganizimin e strukturave të Partisë Socialiste, vetëm 1 vit përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore, kur nevojitet një mobilizim në çdo njësi dhe qark të vendit.
“Kjo është koha e duhur sepse vitin e ardhshëm kemi zgjedhjet vendore. Tirana ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme, edhe falë faktit se këtë vit është Kryeqyteti Europian i Rinisë, por me gjithë sfidat që kemi kaluar gjatë dy-tre viteve të fundit, me tërmetin dhe pandeminë, prapë kemi mundur të arrijmë zhvillime të jashtëzakonshme. Tani kërkohet riorganizim dhe kryerjen e një procesi sa më të mirë, sa më të saktë, gjithëpërfshirës, ku të gjithë ju duhet të jeni pjesë e tij me propozime, të cilat më pas do të kalojnë në filtrin politik të parties. Është e rëndësishme që procesi të nismohet nga ju, me qëllim që të përzgjidhen ata që janë realisht pranë njerëzve, pranë problematikave të tyre, në mënyrë që ta çojmë Tiranën në fitore në zgjedhjet e ardhshme”, tha Ibrahimaj.