Presidenti i SHBA Joe Biden, ka deklaruar se nëse republikanët do të fitojnë zgjedhjet e mesit të mandatit, demokracia amerikane do të jetë në rrezik.
Kjo deklaratë vjen pasi ish-Presidenti Donald Trump pohoi se mund të rikandidonte për Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump zhvilluan mitingje, ndërsa zgjedhjet për të riformuar Kongresin hynë në ditën e fundit të fushatës.
Ata bënë thirrjet e tyre të minutës së fundit për votuesit respektivisht në Nju Jork dhe Florida.
Në fjalimin e tij në Nju Jork, Biden i quajti zgjedhjet “një pikë kthese” që do të përcaktojë 20 vitet e ardhshme, ndërsa mbështeti guvernatoren Kathy Hochul. Ai u tha votuesve në Kolegjin Sarah Lawrence se ata po zgjedhin midis dy “vizioneve thelbësisht të ndryshme të Amerikës”.
Ndërkohë, paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump, ishte në Miami, ku foli për më shumë se një orë, duke sulmuar demokratët për çuarjen e vendit drejt “komunizmit”.
“Demokratët duan ta kthejnë Amerikën në Kubë komuniste ose në Venezuelë socialiste”, tha Trump.
Sipas sondazheve republikanët janë favoritë për të fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por Senati është një sfidë. Kontrolli qoftë dhe i njërës prej këtyre dhomave të Kongresit do t’u jepte republikanëve fuqinë për të bllokuar agjendën legjislative të zotit Biden dhe për të nisur hetime potencialisht të dëmshme ndaj tij.
Burimi: GAZETA.MK