Ish-deputeti i VetëVendosjes, Enver Dugolli, ka komentuar mbi situatën politike në Kosovë dhe arsyet që çuan vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Ai tha se VetëVendosje si mazhorancë kishte fituar zgjedhjet me mbi 51% dhe kishte bërë përpjekje për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat sipas tij ishin të panevojshme.
Dugolli theksoi se kryeministri Albin Kurti kishte ofruar një kompromis konkret për LDK-në, duke i propozuar Lumir Abdixhikut postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe katër ministri, me synimin që të hapej një kapitull i ri mes dy partive. Por, sipas tij, kjo ofertë u refuzua pa arsye të qarta.
“Që në fillim kontaktet mes Kurtit dhe liderëve të opozitës krijuan shpresë se mund të dilnim nga kjo situatë. Por më pas diskutimet nuk patën ecuri të frytshme. LDK ka kërkuar një marrëveshje klasike politike, që ne e kuptuam si dëshirë për të qenë pjesë e qeverisjes. Oferta e Kurtit u refuzua dhe gjithmonë u justifikua,” tha Dugolli.
Ai e cilësoi këtë refuzim si arsye kryesore që vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, duke nënvizuar se VetëVendosje kishte vullnetin për kompromis, por opozita nuk e pranoi.
Burimi: botasot.info


