Zgjedhjet e 6 Marsit, sot ndizen motorët e fushatës, fillon zyrtarisht beteja për bashkitë

February 19, 2022
min lexim

Fushata për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendit që do të zhvillohen më 6 mars nis zyrtarisht ditën e sotme.

Vendimi është marrë në fillim të muajit nga Komisioni Rregullator në KQZ i cili vendosi në këtë mënyrë miratimin e propozimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Partia Demokratike kërkoi më herët që data e nisjes së fushatës të ishte 7 Shkurti, me argumentimin për të pasur kohë kandidatët. Por kjo u rrëzua nga anëtarët e Komisionit Rregullator sepse sipas tyre kjo datë është e pamundur për shkak të afateve të vendosura.

Zgjedhjet do të zhvillohen në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Ndonëse në shumicën e tyre, këto bashki ishin prej shumë kohësh, pa një kryetar të zgjedhur, presidenti Meta priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, për të dekretuar votimet e reja.

Në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita nuk mori pjesë, duke i bojkotuar ato. Ripërsëritja e tyre mund të jetë një mundësi e mirë që dhe ajo të ketë përfaqësuesit e saj në pushtetin vendor, të paktën në këto 6 bashki ku Shkodra, Durrësi por dhe Lushnja janë ndër më të mëdhatë e vendit.

Por edhe këtë herë ajo duket se do të hyjë e përçarë, për shkak të luftës së brendshme në Partinë Demokratike. Berisha dhe mbështetësit e tij, garojnë në zgjedhje me koalicionin “Shtëpia e Lirisë”.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të regjistrojë në zgjedhjet e pjesshme koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, të përbërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane, duke rrëzuar nga kërkesa e tyre një pjesëtar të tretë të koalicionit, i renditur në dokument si Partia Demokratike – Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

KQZ vendosi që koalicioni përbëhet nga LSI dhe PDK, por nuk përfshiu në të edhe Komisionin e Rithemelimit të PD me përkrahësit e ish kryeministrit Sali Berisha. Megjithatë kandidatët e këtij koalicioni janë zgjedhur nga Berisha përmes primareve të mbajtura në 6 bashki. Edhe prezantimi i kandidatëve është Bërë në të shumtën e rasteve nga Berisha.

Fragmentarizimi i opozitës mund të favorizojë dukshëm socialistët që aktualisht kontrollojnë të gjithë pushtetin vendor.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Real Madrid afër marrëveshjes me Haaland

Story i radhës

Gjendja me rastet me Covid-19 në Kosovë

Të fundit nga

ShkoLartë