-Zgjedhje të parakohshme mund të ketë vetëm nëse opozita pranon të votojë për ndryshimet kushtetuese dhe pastaj të shpallim zgjedhje të parakohshme. Ky është opsioni i vetëm që Qeveria do ta pranonte, thotë zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
“Mendoj se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme, por është koha për të marrë përgjegjësi dhe për të zbatuar obligimet tona. Qytetarët do të na jenë mirënjohës nëse e kryejmë obligimin para zgjedhjeve, që zgjedhjet të mos mhingarkohen se kush është PRO dhe kush është KUNDËR ndryshimeve kushtetuese, sepse kjo do të na çojë në një tunel të ri 10-vjeçar, nga i cili nuk e dimë nëse do të mund të dalim më shpejt se 10 vjet. Nuk është koha për zgjedhje të parakohshme, është koha për të marrë vendime”, thotë Mariçiq, i cili është për vizitë në SHBA.
Lidhur me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së se nuk do të lëvizë nga pozicionet e veta, nëse ka plan B dhe nëse është në Uashington për të kërkuar mbështetje nga aleati strategjik – SHBA-ja, ai thotë se e kemi mbështetjen e aleatëve, por jo për asnjë plan B.
“Mbështetja nga të gjithë po vjen, por vetëm për planin A. Ky është plani i vetëm që kemi, që është përfundimi i ndryshimeve kushtetuese, vazhdimi i negociatave me BE-në dhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2030. Çdo parti, çdo politikan, që e kundërshton këtë, do të mbajë përgjegjësi historike për dështimin e tij eventual. Jam i sigurt se kemi kohë të mjaftueshme deri në nëntor për të bindur të gjithë grupin parlamentar apo një pjesë të grupit parlamentar të opozitës që të votojnë për këtë propozim, sepse investimi është shumë i lartë për të humbur këtë shans. Edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe të partisë duhet të përgjigjen se pse po punojnë për ta humbur këtë shans, sepse vitin e ardhshëm do të kemi një kontekst tjetër dhe do të vonojmë shumë. Ne kemi pritur tashmë 17 vjet për të filluar bisedimet, nuk ka mbetur asnjë ditë për të humbur”, tha Mariçiq.
Sipas tij, ekziston një ndjenjë se është prishur konsensusi për BE-në, pasi VMRO-DPMNE-ja ka marrë qëndrim tepër të prerë për të mos i përkrahur ndryshimet kushtetuese.
“Nuk mund të jemi vetëm deklarativë për BE-në, duhet ta tregojmë në vepra. Sot janë ndryshimet kushtetuese dhe nesër do të ketë shumë vendime të tjera që do të kërkojnë dy të tretat e shumicës dhe janë të lidhura me politika komkrete evropiane, pavarësisht nëse bëhet fjalë për gjyqësorin apo për segmente të tjera”, thotë Mariçiq.
Mesazhi i SHBA-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, siç thekson ai, është se ekziston në momentum për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, drejt integrimit evropian së bashku me situatën në Ukrainë.
“Nuk duhet ta humbasim atë shans, nuk e dimë se kur do të kemi një shans të dytë, nuk do të ketë mundësi të diskutojmë dhe të negociojmë sërish për të njëjtat çështje që zgjidhëm verën e kaluar me Bullgarinë në formën e propozimit francez. Nuk është koha për politikë, për zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk është koha për grindje partiake. Është koha që çdo parti dhe çdo deputet dhe politikan të tregojë në vepër se janë për përmbushjen e prioriteteve tona strategjike, në këtë rast anëtarësimin në BE”, tha Mariçiq për “Zërin e Amerikës”.
Burimi: TV21