Zgjedhje të parakohshme parlamentare në Spanjë

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez njoftoi se më 23 korrik do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend, të cilat duhej të mbaheshin në dhjetor, ndërsa vendimin e bëri të ditur pas disfatës në zgjedhjet e djeshme lokale dhe forcimit të partive të djathta opozitare, raporton Anadolu.

Sanchez foli para gazetarëve në Moncloa, rezidencën e kryeministrit në Madrid, nga ku tha se Këshilli i Ministrave do të mblidhet urgjentisht pasditen e sotme dhe do të vendosë për shpërndarjen e parlamentit.

Duke theksuar se pranon rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe se është e nevojshme të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, Sanchez tha se beson se zgjedhjet e parakohshme janë mënyra më e mirë që Spanja të përcaktojë kursin e saj politik.

Zgjedhjet lokale u mbajtën dje në Spanjë, ku partia kryesore opozitare e krahut të djathtë, Partia Popullore (PP) fitoi 31.5 për qind të votave dhe Partia Punëtore Socialiste (PSOE), partneri kryesor i qeverisë së koalicionit të majtë, fitoi 28.11 për qind. Partia opozitare e ekstremit të djathtë Vox fitoi 7.18 për qind të votave.

Në zgjedhjet e mëparshme lokale të vitit 2019, PSOE kishte 29.26 për qind, PP 22.23 për qind dhe Vox 2.9 për qind. Në këto zgjedhje lokale, PP fitoi 6 nga 10 administratat autonome që kishte PSOE.

Kryetari i PP-së, Alberto Nunez Feijoo tha se partia e tij doli me një fitore të qartë në zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Spanjë u mbajtën në fund të vitit 2019 dhe më pas, për herë të parë në historinë demokratike të vendit, u formua një qeveri koalicioni mes PSOE dhe ultra të majtës Unidas Podemos.





Story i mëparshëm

Taravari: ASH do të vazhdojë që me mjete demokratike të mundësohet heqja e 20%-shit

Story i radhës

Posedonte kaste metalike me 540 fishekë luftarakë në të, arrestohet 39-vjeçari

Të fundit nga