Për gazetarin Elkier Bushkolaj procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit nuk kishte asnjë lidhje me transparancën.
Në studion e emisionit “Drejt” në “Ora News”, Bushkolaj u shpreh se ndodhi që për fat të keq Shqipëria do të kishte mundësinë e madhe që në krye të policisë të kishte dikë së paku një njeri me më shumë eksperiencë.
“Ishte një proces që për hir të së vërtetës transparancën e kishte në “drejtim të paditur”.
Në një vend ku policia e Shtetit del e përfshirë në veprimtari të rënda kriminale. Të paktën e kemi të përfshirë në dosjen “Metamorfoza”, “Revanshi”, dosja e Ervin Matës, na sollën raste që ishin të përfshirë drejtorë të policisë.
Për hatër të operacioneve, për hatër të kreut të SPAK që deklaroi se kemi rezerva për bashkëpunimin me policinë, për hatër të ndërkombëtarëve që kanë thënë se janë dekonspiruar operacioneve, për hatër të përgjimeve të “Sky”, do duhet të kishte të paktën një proces transparent.
Unë kisha dëshirë si gazetar të shikoja platformat e gjithsecilit që kandidonte në këtë garë”, tha gazetari Elkier Bushkolaj.
BURIMI: Bota Sot