David Trezeguet, i shpallur kampion bote me Francën në vitin 1998, ka një lidhje të fortë me Argjentinën, pasi babai i tij, Jorge Trezeguet, është një ish-futbollit argjentinas, edhe pse me prejardhje franceze. Madje vetë David, edhe pse ka lindur në Francë, është rritur në Buenos Aires. Për këtë arsye është i dyzuar emocionalisht para finales.
“E vështirë personalisht, emocionalisht. Diçka që nuk e doja, por duhet të jetë një festë dhe është një finale e mrekullueshme. Është ajo që ne të gjithë e prisnim, për shkak të karakteristikave, historisë. Janë dy skuadrat më të mira në Kupën e Botës,” – deklaroi 45-vjeçari për “TyC Sports”.
Megjithatë, pavarësisht se kishte ndjenja të përziera, ai anon nga bardhekaltrit. Por përse?
“E përsëris vazhdimisht, emocionalisht, duke e ditur se do të jetë Botërori i tij i fundit, Leo e meriton të jetë kampion. Ai i bën njerëzit të ëndërrojnë, kjo nuk i heq ambiciet e Francës për të ruajtur titullin”.
Leo është në fund të karrierës së tij, ndërsa Mbappé ka ende kohë për të thyer rekordet. Në lidhje me duelin Leo-Mbappé, Trezeguet deklaroi:
“Franca do ta kërkojë ta ruajë titullin, nuk ka dyshim. Këtu ndryshimi është mosha, Leo është në pjesën e fundit të karrierës, Mbappé është në fillim dhe do të fitojë gjithçka. Te PSG ata janë kombinimi perfekt, por Argjentina luan për Messin, gjithçka kalon përmes tij.”
Trezeguet, sido që të ndodhë, do të jetë një njeri i lumtur dhe i trishtuar në të njëjtën kohë.