Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, qëndroi për një vizitë pune në Republikën Popullore të Kinës, ku mori pjesë në takimin e 7-të të Liderëve Lokal të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe në Javën e Bashkëpunimit dhe Shkëmbimit Ndërkombëtar të Shandongut dhe qyteteve mike për vitin 2026, që u mbajt në Xinan të provincës Shandong.
Në këtë ngjarje, e cila u mbajt nën moton “Së bashku i japim formë ardhmërisë”, morën pjesë përfaqësues të lartë nga Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ndërsa u zhvilluan edhe disa sesione kushtuar bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe rajonal.
Gjatë vizitës, zëvendëskryeministri Stoilkoviq zhvilloi gjithashtu një sërë takimesh dhe aktivitetesh të fokusuara në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional, thellimin e marrëdhënieve partnere, si dhe hapjen e mundësive të reja për investime dhe bashkëpunim ndërmjet rajoneve dhe qyteteve.
“Fillimisht, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë në Xinanin e mrekullueshëm, në provincën Shandong – një vend me histori të thellë, kulturë të pasur dhe urtësi qytetarie,” ka thënë Stoilkoviq.
Është një nder i veçantë që sot jemi pjesë e takimit të 7-të të liderëve lokal të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, nën moton “Së bashku i japim formë ardhmërisë”. Pikërisht kjo porosi pasqyron thelbin e kohës moderne, një kohë në të cilën partneritetet, besimi i ndërsjellë dhe ndërlidhja ekonomike janë çelësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabil.

Siç ka thënë Konfuci: “Ai që dëshiron të sigurojë të mirën për të tjerët, tashmë e ka siguruar atë edhe për veten.”
Ky mendim sot ka një domethënie të veçantë. Në një botë që përballet me sfida të shumta ekonomike dhe globale, bashkëpunimi nuk është zgjedhje, ai është domosdoshmëri. Pikërisht platforma e bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore paraqet një shembull se si përmes dialogut, respektit dhe një vizioni të përbashkët, mund të krijohen mundësi të reja për të gjithë.
Republika e Maqedonisë së Veriut e sheh Republikën Popullore të Kinës si një partnere të rëndësishme ekonomike dhe vend mik, me të cilën ekziston hapësirë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e infrastrukturës, investimeve, teknologjisë, turizmit, arsimit, shkëmbimit kulturor, bujqësisë dhe fusha të tjera…
Besojmë se periudha që kemi përpara duhet të jetë një periudhë e komunikimit më intensiv ekonomik, e lidhjes më të fuqishme ndërmjet rajoneve, qyteteve dhe kompanive, si dhe e hapjes së mundësive të reja për investime të huaja dhe projekte të përbashkëta, të cilat do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët tanë.
Vendi ynë është i gatshëm të kontribuojë në mënyrë aktive në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, përmes ndërtimit të partneriteteve të bazuara në respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe vizion afatgjatë.

Jam i bindur se pikërisht bashkëpunimi lokal dhe rajonal mund të jetë shtytësi i një cikli të ri zhvillimi, sepse lidhjet më të fuqishme gjithmonë fillojnë mes njerëzve, qyteteve dhe komuniteteve.
Sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme të ndërtojmë ura të forta miqësie, besimi dhe bashkëpunimi ekonomik. Besojmë se ka ardhur koha që këto marrëdhënie të forcohen edhe më tej dhe të shndërrohen në një miqësi të vërtetë çeliku ndërmjet popujve dhe shteteve tona, një miqësi e bazuar në respekt të ndërsjellë, stabilitet dhe zhvillim të përbashkët. Në këtë frymë, më lejoni të them se besojmë në një partneritet të qëndrueshëm dhe të sinqertë me Kinën, partneritet që do të vazhdojë të zhvillohet në frymën e përparimit të përbashkët dhe respektit të ndërsjellë.
Le të jetë ky takim edhe një hap tjetër drejt nismave të reja, investimeve të reja dhe lidhjeve edhe më të fuqishme ndërmjet popujve tanë, ka theksuar në fjalimin e tij zëvendës kryetari i Qeverisë së RMV-së dhe ministri Ivan Stoilkoviq.


