2
Shkup, 6 maj – Pas zhvillimeve të fundit brenda koalicionit VLEN dhe paralajmërimit për largimin e Arben Taravarit nga Qeveria, ka reaguar kreu i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi, përmes një deklarate që shënon ndarjen përfundimtare nga, siç e quan ai, politika joparimore e “dy karrigeve”.
“Megjithatë, ia VLEN! Politika joparimore e dy karrigeve dhe e qëndrimeve ku nuk merret vesh kush është partneri, kush është aleati e kush është oponenti, tashmë ka perënduar,” deklaroi Ibrahimi, duke aluduar qartë në sjelljen politike të Arben Taravarit dhe bashkëpunimeve të tij të dyshimta.
Ai shtoi se koalicioni VLEN nuk do të tolerojë prani të mjeteve apo ndërmjetësve të BDI-së brenda qeverisë, duke e cilësuar këtë si një infiltrim të “vegëzave ose veglave që janë kapur keq në rrjetin e Oligarkisë së Krimit e Korrupsionit.”
Ibrahimi akuzoi ashpër se tentativa për të shpëtuar politikën e vjetër të Soravisë, edhe kur maskohet me patriotizëm dhe viktimizim “engjëllor”, është një përpjekje e dëshpëruar për të mbrojtur të korruptuarit e sanksionuar nga SHBA.
“Secili që dëshiron ta shpëtojë politikën e Soravisë… më parë mund të digjet e të përmbytet sesa ta realizojë operacionin e shpëtimit të atyre që tashmë janë bërë personazhe të listës së zezë amerikane,” theksoi ai.
Në fund të statusit, Ibrahimi u shpreh me një mesazh të qartë dhe të prerë ndaj Taravarit:
“Edhe BDI, edhe Qeveri – ollmaz, Doktor!”
BURIMI: zhurnal.mk