Presidenti i Republikës Çeke, Milosh Zeman, tha në takimin vjetor të ambasadorëve çekë në Pragë se Rusia nuk fitoi asgjë duke sulmuar Ukrainën dhe humbi gjithçka, dhe se sulmoi Ukrainën pasi NATO u tërhoq nga Afganistani dhe Moska priste që ajo të kapitullonte edhe ne Ukrainë.
“Fakti që lufta në Ukrainë është agresion rus është një pozicion që, të paktën në politikën çeke, e mbajmë pothuajse të gjithë ne. Nëse bëjmë një analizë të thjeshtë të kostove dhe përfitimeve, do të shohim se agresioni në Ukrainë nënkuptonte për Rusinë që ajo nuk fitoi asgjë dhe humbi praktikisht gjithçka, qoftë nëpërmjet humbjeve ekonomike për shkak të sanksioneve, qoftë materiale dhe njerëzore. Dhe në fund humbja e reputacionit”, tha Zeman.
Presidenti çek paralajmëroi se mendimi i parë që vjen në mendje se pse Rusia e bëri këtë është se lidershipi papritmas u sëmur mendërisht, por se ai dëgjoi një shpjegim të besueshëm nga presidenti izraelit Yitzhak Herzog.
“Putin sulmoi Ukrainën për shkak të kapitullimit të NATO-s në Afganistan. Ju e dini shumë mirë që unë u shpreha publikisht kundër tërheqjes së NATO-s nga Afganistani. Unë citova fjalinë e famshme të Taleranit, ‘është më keq se krim, është gabim’. Udhëheqja ruse ka llogaritur qartë se nëse NATO do të lëshonte rrugën në Afganistan, ajo gjithashtu do të lëshonte rrugën në rast të një sulmi ndaj Ukrainës”, tha Zeman.
Presidenti çek është mirënjohës që kjo nuk ndodhi, megjithëse tani duhet të llogarisë në një luftë të gjatë.
“Ne duhet të llogarisim realisht me një luftë të gjatë dhe rraskapitëse, dhe kjo për shkak se Rusia e vlerësoi gabim reagimin tonë. Por ne dhamë një arsye të caktuar duke u tërhequr nga Afganistani”, tha Zeman.
Zeman mbështeti dërgimin e armëve në Ukrainë dhe pranimin e refugjatëve nga ai vend dhe si zgjidhje për krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, propozoi që Republika Çeke të refuzojë politikën e klimës së gjelbër të Bashkimit Evropian.