Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se vendi i tij u bë “një nga liderët e botës së lirë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne e ndihmuam Perëndimin të gjejë përsëri veten dhe të ndjejë se sa shumë mbizotëron Perëndimi. Askush nuk ka më frikë nga Rusia atje”, tha Zelenskyy në një fjalim para parlamentit ukrainas Verkhovna Rada.
Ai bëri thirrje për reforma në organizatat ndërkombëtare ekzistuese të cilat “duhet të garantojnë paqen, por nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë”, krijimin e një gjykate për Rusinë dhe garanci të reja sigurie për Ukrainën.
Zelenskyy tha se Ukraina po i afrohet një fitoreje për të cilën po ëndërronin të gjitha brezat, pavarësisht sulmeve ruse në infrastrukturën e saj energjetike, duke theksuar se ushtria ukrainase rivendosi kontrollin në më shumë se 1.800 vendbanime.
Ai theksoi numri i satelitëve Starlink, që punojnë në interes të Ukrainës, së shpejti do të arrijë në 30 mijë.
Zelenskyy tha se qëllimi kryesor është rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe çlirimi i të gjithë të burgosurve të luftës. Ai njoftoi se që nga fillimi i luftës 1.456 të burgosur janë kthyer.
Presidenti ukrainas u shpreh se restaurimi i Ukrainës pas luftës do të jetë “projekti më i madh ekonomik në Evropë”, duke shtuar se i gjithë territori duhet të rindërtohet dhe përparësi do t’u jepet kompanive që kanë punuar në Ukrainë gjatë luftës.
Një tjetër qëllim është riatdhesimi i refugjatëve, tha ai, duke paralajmëruar në mënyrë indirekte se do të vazhdojnë goditjet ndaj Kishës Ortodokse të Ukrainës për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë.