Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij do të rrisë eksportin e tij të energjisë elektrike në Bashkimin Evropian dhe do të synojë të bëhet një nga garantuesit e sigurisë energjetike evropian, derisa Rusia shkurton furnizimet me gaz në bllok.
“Ne po përgatitemi të rrisim eksportet tona të energjisë elektrike për konsumatorët në Bashkimin Evropian”, tha Zelensky më 27 korrik në fjalimin e tij të mbrëmjes drejtuar kombit.
Eksportet jo vetëm që do t’i lejojnë Ukrainës që të rrisë të ardhurat e saj, por gjithashtu do të ndihmojë partnerët e saj që t’i rezistojnë presionit rus të energjisë, tha ai.
Rrjeti elektrik i Ukrainës është lidhur me rrjetin evropian në mes të marsit – gjë që ka mundësuar vazhdimin e furnizimeve, pavarësisht pushtimit rus.
Ukraina filloi eksportin e energjisë elektrike në BE nëpërmjet Rumanisë në fillim të korrikut.
Rregullatori i Energjisë i Gjermanisë e tha më herët se gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom shkurtoi dërgesat e gazit në Evropë përmes tubacionit Rrjedha Veriore 1, në rreth 20 për qind të kapacitetit siç pritej më 27 korrik.
Tubacioni Rrjedha e Veriut 1 është 1.200 kilometra i gjatë dhe shtrihet nën Detin Baltik, nga bregdeti rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore./REL