Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij të fundit përmes një video, u ka bërë thirrje nënave ruse që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në luftë dhe të ushtrojnë vigjilencë për vendndodhjen e tyre.
Në një lutje të pasionuar, ai tha “Dua t’ua them këtë edhe një herë nënave ruse, veçanërisht nënave të rekrutëve. Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një vend të huaj”.
Ai u bëri thirrje atyre që të “mos i besojnë premtimeve se do të dërgohen diku për stërvitje” dhe u kërkoi atyre “të veprojnë menjëherë” nëse ka dyshime se ata po dërgohen për të luftuar në Ukrainë.
Fjalimi vjen pasi Rusia pranoi për herë të parë të mërkurën praninë e rekrutëve në radhët e forcave të saj në Ukrainë – shumë prej të cilëve nuk ishin të trajnuar për betejë – dhe njoftoi se një numër prej tyre ishin zënë rob.