Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se shpreson që t’i mirëpresë në Kiev të dërguarit e presidentit amerikan, Donald Trump, në ditët në vijim, për të rifilluar përpjekjet për t’i dhënë fund pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Rusia më 2022.
Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit rus, që po zgjat prej katër vjetësh e gjysmë, kanë ngecur muajt e fundit, teksa SHBA-ja e ka zhvendosur vëmendjen te lufta me Iranin.
“Presim që të dërguarit e presidentit të Amerikës të vijnë këtu, në Kiev. Kemi konfirmimin e tyre”, tha Zelensky në adresimin e tij të përnatshëm.
“Ata do të kenë takime në Moskë dhe në Kiev. Ne presim që takimi të zhvillohet në ditët në vijim”, shtoi udhëheqësi ukrainas.
Të dërguarit e posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, kanë qenë të përfshirë në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, duke udhëtuar disa herë në Moskë.
Ata nuk kanë qenë asnjëherë në Kiev.
Zelensky tha se “datat e mundshme janë caktuar” për vizitën e parë të të dërguarve në kryeqytetin ukrainas, i cili gjatë javës së fundit është përballur me sulme të intensifikuara ruse me dronë dhe raketa.
Në korrik, Zelensky njoftoi se kishte biseduar me Witkoffin dhe Kushnerin “për ta rigjallëruar diplomacinë dhe për ta sjellë më afër paqen”.
Pushtimi rus i Ukrainës është shndërruar në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve dhe qindra mijëra ushtarëve.
Burimi: botasot.info


