Vijon të mbetet nën menaxhim situata e zjarreve në vend, ndërsa strukturat vendore dhe qendrore janë angazhuar në terren për shuarjen e vatrave aktive dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 janë raportuar 27 vatra zjarri, nga të cilat 17 janë shuar plotësisht, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 8 vijojnë të jenë aktive.
Në operacione janë angazhuar 265 forca operacionale dhe 38 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 170 efektivë ushtarakë dhe 3 automjete zjarrfikëse. Helikopterët e Forcës Ajrore kanë ndërhyrë në katër operacione për shuarjen e flakëve.
Vëmendja kryesore e autoriteteve është përqendruar në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër, ndërsa situata më problematike raportohet në qarkun e Lezhës.
Në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, për shkak të përhapjes së zjarrit, është bërë evakuimi i banorëve. Për përballimin e situatës janë angazhuar dy helikopterë të Forcës Ajrore, 50 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse, krahas strukturave vendore.
Ndërkohë, në Mnelë të Vogël, në Vau të Dejës, intensiteti i zjarrit është ulur dhe rreziku për zonat e banuara është shmangur. Ekipet në terren vijojnë punën për shuarjen përfundimtare të flakëve.
Në qarkun e Dibrës operacionet vijojnë në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, me angazhim të forcave tokësore dhe mbështetje ajrore në zonat e Matit. Sipas autoriteteve, në këto vatra nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Edhe në Dajt, pas riaktivizimit të një vatre zjarri, janë angazhuar 60 forca. Edhe këtu autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Autoritetet deklarojnë se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Burimi: botasot.info


