Njohësi i çështjeve të sigurisë Dorajt Imeri komentoi vizitën e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në Beograd dhe takimin e tij me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Volodymyr Zelensky, sapo ke përqafuar hijen e Putinit në Ballkan: Aleksandar Vuçiç. Duhet ta them këtë: rrezikon të zhgënjehesh thellësisht nga kjo përpjekje për të gjetur miq të rinj në luftën tënde. Serbia nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër vendit tënd”, shkroi në X, Imeri.
Më herët gjatë ditës, mediat raportuan se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e shpallur më 2008, Kosova i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Prishtina po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Ndërkaq, Vuçiq tha se me udhëheqësin ukrainas, shteti i të cilit po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ka biseduar për bashkëpunimin ushtarak.
“Çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta, kjo është çështje tjetër”, tha Vuçiq, i cili e mirëpriti Zelenskyn në vizitën e parë zyrtare në Serbi.
Vuçiq njoftoi se në Serbi, në mesin e shtatorit, do të hapet një fabrikë dronësh, por në bashkëpunim me izraelitët.
“Ukrainasit janë shumë të suksesshëm dhe kanë shumë fabrika të tyre të dronëve”, shtoi ai.
Zelensky vizitoi Serbinë, shtet që është një nga të paktat në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës, raporton Radio Evropa e lirë.
“Ne duam paqe dinjitoze”, deklaroi Zelensky, duke theksuar se duhet shfrytëzuar çdo mundësi për arritjen e paqes
Burimi: botasot.info


