Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka parashikuar përkeqësim të sulmeve ruse – me qëllim të marrjes së territorit të lindje të Ukrainës – teksa këtë javë mbahen takime të liderëve të Bashkimit Evropian për të vendosur nëse duhet mbështetur synimi i Kievit për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.
Në fjalimin e tij ditor, lideri ukrainas ka thënë se është e qartë “që këtë javë duhet të presim intensifikim të aktiviteteve armiqësore nga Rusia”.
“Ne jemi duke u përgatitur”, ka thënë Zelensky për forcat e armatosura.
“Ne jemi gati”.
Ukraina ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, disa ditë pas nisjes së pushtimit rus, që ka nisur më 24 shkurt.
Moldavia dhe Gjeorgjia kanë vepruar njëjtë, si pasojë e kërcënimit rajonal që vjen nga sulmi i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë.
Liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të analizojnë aplikacionet e të tria vendeve në një samit që do të zhvillohet më 23 dhe 24 qershor dhe pritet të përkrahin aplikimin e Ukrainës.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian ka rekomanduar statusin e kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, mirëpo ka thënë se Gjeorgjia ka ende kritere që duhen plotësuar, para se të bëhet vend kandidat.
Secili proces anëtarësimi merr vite derisa të finalizohet.
Në orët e para të 20 qershorit, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, ka thënë se forcat ruse janë duke përdorur raketa dhe artileri për të bombarduar qytezat afër Severodonjeckut.
Sipas ushtrisë, forcat ukrainase dhe ato ruse janë duke luftuar ende për të marrë kontrollin e plotë të Severodonjckut, qytet kyç në lindje të Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pushtuar Ukrainën duke synuar që ta mbajë këtë shtet fqinj post-sovjetik larg ndikimit dhe integrimit evropian, mirëpo përparimi në këtë aspekt ka dalë të jetë më i ngadalshëm në krahasim me atë që ka planifikuar Kremlini.